Vuçiqi shpreson që KFOR-i dhe EULEX-i do të kryejnë punën e policisë në veri të Kosovës

Vuçiqi shpreson që KFOR-i dhe EULEX-i do të kryejnë punën e policisë në veri të Kosovës

Aktuale November 06, 2022 - 22:10

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se shpreson që Shtetet e Bashkuara do të vendosin që misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR dhe misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX, do të kryejnë punën e policisë në veri të Kosovës, pas vendimit të serbëve për t’u larguar nga të gjitha institucionet e këtij vendi.

“Mendoj se diçka e tillë do të kontribuojë në paqe. Nëse amerikanët mendojnë që këtë punë mund ta bëjnë shqiptarët, e diçka e tillë nuk është në përputhje me marrëveshjen e Brukselit dhe vullnetin e popullit, frikësohem se kjo situatë mund të çojë në katastrofë”.

Ai ka thënë të dielën se është e rëndësishme që Serbia të sillet “me seriozitet dhe me përgjegjësi”.

“Po flasim për ndryshime të mëdha tektonike politike. Pas 10 vjetësh serbët kanë marrë vendim që të largohen nga institucionet e Prishtinës”, ka thënë Vuçiq për Televizionin Pink.

Vuçiq ka thënë, po ashtu, se supozimet që serbët po veprojnë me urdhër të Beogradit, “janë të pakuptimta”.

Më 5 nëntor, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – ka vendosur që të largohet nga të gjitha institucionet e Kosovës, përfshirë policinë dhe gjyqësorin.

Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS - Republika e Kosovës.

Vuçiq ka thënë se autoritetet e Kosovës kanë aplikuar “opsionin më të keq të mundshëm” kur është fjala për targat.

“Fillimisht na qorton dhe më pas na poshtëron. Më pas thotë se do t’ju ndëshkojmë financiarisht. Më pas që do të konfiskojë targat e makinave dhe makinat”.

Presidenti i Serbisë ka thënë se serbët nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës derisa të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje serbëve që të mos braktisin institucionet e Kosovës, pasi në këtë mënyrë dobësojnë shërbimet për qytetarët.

Sipas tij, përmes vendimit të Listës Serbe, Beogradi zyrtar dëshiron të destabilizojë situatën në Kosovë, mirëpo Kurti ka thënë se Serbia “nuk do t’ia dalë në këtë mënyrë”.

Për dallim nga Kosova, Serbia e ka mbështetur vendimin e Listës Serbe./rel