Petkoviq: Rohde duhet të respektojë vullnetin e serbëve që jetojnë në veri të Kosovës

Petkoviq: Rohde duhet të respektojë vullnetin e serbëve që jetojnë në veri të Kosovës

Aktuale October 06, 2022 - 12:11

Drejtori i Zyrës Serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, tha se vendimi i institucioneve të Kosovës për targat është i paligjshëm dhe sipas tij në kundërshtim me marrëveshjet për lirinë e lëvizjes.

Ai tha se kushdo që e përkrah këtë vendim, siç u shpreh ai, e kërcënon drejtpërdrejt procesin e dialogut.

Ky reagim i Petkoviqit erdhi pas deklaratës së ambasadorit gjerman Jorn Rohde se Marrëveshja për targat duhet respektuar.

“Nëse përfaqësuesi gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, do t’i kishte lexuar marrëveshjet e mëparshme, ai do ta kishte parë lehtësisht se problemi me lirinë e lëvizjes nuk ekzistonte derisa ishin në fuqi tabelat KS neutrale ndaj statusit”, tha Petkoviqi.

Ai tha se Rohde duhet të respektojë vullnetin e popullit serb që jeton në veri të Kosovës.

“Një gjë duhet të mësojë zoti Rohde, e ajo është respektimi i vullnetit të popullit serb që jeton në veri të Kosovës dhe që e kanë thënë qartë se çfarë mendojnë për riregjistrimin e Kurtit”, u shpreh tutje Petkoviqi. /klankoosva