Rama: Qeveria dhe sindikatat të gjejnë një kompromis sa më parë

Rama: Qeveria dhe sindikatat të gjejnë një kompromis sa më parë

Aktuale August 31, 2022 - 21:55

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se heqja e grevistëve nga lista e pagave është e kundërligjshme.

Sipas tij, kohët e fundit çmimet janë rritur shumë, por jo edhe pagat.

Ai i ka jep të drejt kërkesës së Qeverisë që të bëjë rivlerësimin e mësimdhënësve, pasi sipas tij ky proces është dashur të bëhej më herët.

“Është e drejtë e institucioneve arsimore dhe të administratës që të vihen në grevë. Pandemia dhe, pas saj, lufta në Ukrainë, bënë që të rriten të gjitha çmimet. Vetëm pagat mbetën të njëjtat”.

“Kërkesa e qeverisë së Kosovës bërë drejtorive komunale të arsimit për t’ua nisë listat e mësimdhënësve grevistë, që t’i nxjerrë ata nga lista e pagave, është e kundërligjshme. Por është e drejtë legjitime e qeverisë që mësimdhënësit t’ia nënshtrojë testit të rivlerësimit, proces ky që duhet të ishte ndërmarrë që moti”, ka shkruar Rama.

I pari i Prishtinës u ka bërë thirrje Qeverisë dhe sindikatave që të gjejnë një kompromis sa më parë.

“Ndërkohë, shtatori sapo nise dhe nxënësit duhet patjetër t’u kthehen bankave shkollore kurse punonjësit administratës. Është prandaj imperative që bashkimi i sindikatave dhe qeveria të mos e ndërpresin dialogun dhe të gjejnë një kompromis një orë e më parë”, ka shkruar Rama. /Zëri