Nisja e reduktimeve, Qeveria: Do të marrim masa për çështjen e ngrohjes

Nisja e reduktimeve, Qeveria: Do të marrim masa për çështjen e ngrohjes

Aktuale August 15, 2022 - 14:42

KEDS-i të dielën njoftoi se nga sot fillojnë reduktimet 6 me 2 në Kosovë.

Mirëpo, Ministria e Ekonomisë ka thënë se janë duke punuar që furnizimi me energji elektrike t’i kthehet normalitetit.

Përmes një njoftimi, Qeveria bëri të ditur se do të marrë masa për çështjen e ngrohjes gjatë muajve në vijim për të ndihmuar qytetarët, raporton Zeri.info.

“Prandaj, të gjithë qytetarët dhe sipërmarrësit, të cilët janë duke planifikuar të bëjnë investime në sistemet e tyre të ngrohjes, ftohen e rikujtohen që t'i ndërrojnë ato nga energjia elektrike në forma të tjera të burimit të energjisë”, thuhet ndër të tjera.

Ata më tej kanë sqaruar se humbjet mbulohen nga prodhimi ose importi, jo nga vetë KEDS-i.

“Prodhimi ditor i Korporatës Elektroenergjitike të Kosovës (KEK) është rreth 507 MWh. Kërkesa për konsum është deri në 750 MWh. Çmimi në bursën Hungareze (HUPX) është rreth 430 euro për MWh. Humbjet komerciale (të shkaktuara nga vjedhjet) dhe teknike të Kompanisë KEDS janë 19%”, thuhet më tej.

Sipas tyre, kriza energjetike nuk ka kapluar vetëm Kosovën, por të gjithë Evropën, gjë që ka bërë që Qeveria para disa muajsh të shpallë gjendje emergjente.

“Ne jemi duke bërë gati masat jo vetëm për furnizim të rregullt, por veçanërisht për të ndërprerë përdorimin e paautorizuar të energjisë elektrike, pra humbjet nga vjedhjet. Këto humbje vazhdojnë të jenë shumë të larta e për të cilat kompania dhe institucionet përgjegjëse nuk kanë arritur rezultate. Askush, e aq më pak qytetarët dhe buxheti i vendit, nuk duhet të paguajnë çmimin e lartë të importit për ata që tolerohen të vjedhin energji. Prandaj, në këto kushte Qeveria, me mjetet dhe kompetencat e saj, do të ndërhyjë për ta minimizuar deri në ndalje të plotë këtë dukuri, pa asnjë kompromis”, u tha në njoftimin e MF-së. /Zëri