Molliqaj: Inflacioni në Kosovë është sikur në luftë, Qeveria “Kurti” do të rrëzohet

Molliqaj: Inflacioni në Kosovë është sikur në luftë, Qeveria “Kurti” do të rrëzohet

Aktuale August 15, 2022 - 14:27

Kreu i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka reaguar për nisjen e reduktimeve të rrymës në Kosovë, duke thënë se reduktimet u kthyen pas afro 15 vjetësh.

Sipas Molliqajt Qeveria “Kurti” do të ngulfatet nga brenda dhe do të rrëzohet, sepse vazhdon të keqmenaxhojë institucionet tona.

Ai më tej shtoi se kjo Qeveri vazhdon të arsyetohet për çdo gjë duke thënë se është krizë në krejt botën.

“Nëse dikush iu tregon se Qeveria s'ka faj, meqë kriza e çmimeve është globale, mos e kundërshtoni, vazhdojeni arsyetimin. Jo vetëm qe kriza është globale dhe e shkaktuar nga lufta e Ukrainës. Vetë lufta në Ukrainë është shkaktuar për t'i ngritur çmimet, ashtu që pas ngritjes së çmimeve Qeveria Kurti të ngulfatet nga brenda dhe të rrëzohet”, ka thënë Molliqaj.

Ai më tej ka vazhduar të pyes se meqë ka krizë globale pse vendet si Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia a Serbia nuk kanë reduktime edhe pse kanë shpenzim më të madh.

“Bukur fort, qenka gjendje e trashëguar nga qeverisjet e mëparshme. Ky argument rrinë veç nëse presupozojmë që njerëzit nuk kanë madje as memorie afatshkurtër. Reduktimet erdhën me këtë Qeveri. Ndryshim, apo jo?!

Qeverisja dorështrënguar nuk është as e majtë as zhvillimore. Këta i ruajnë paratë për ditët e zeza kur vetë ndihen të rrezikuar. Dhe pas secilit problem presin, ka edhe më keq. Paradoksalisht, duke bërë kështu po ia ofrojnë vetes ditët e vështira”, shkroi ai në Facebook.

Sipas tij inflacioni në Kosovë është sikur në gjendje lufte, kurse Qeveria rri e struktur përderisa edhe energjia është shtrenjtuar.

“Nëse asgjë nuk bjerë nga gjithë këto ngritje, kjo mungesë qeverinë e ka adresë. Diçka duhet me ra këtu, borxh nuk iu kemi. Udhëzimet për përdorim të qebeve, protestën kanë me pas si përgjigje”, shkroi ai. /Zëri