Plagjiatura në UP, Nagavci merr një vendim

Plagjiatura në UP, Nagavci merr një vendim

Aktuale August 15, 2022 - 12:20

Ditë më parë dy profesorë të Universitetit të Prishtinës janë shpallur si plagjiatë, kurse organizata “ORCA” ka thënë se ka edhe raste të tjera.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci e cila ka thënë se sot është nënshkruar një vendim që obligon të gjitha institucionet e arsimit të lartë që me rastin e deklarimit të stafit akademik në platformën e-akreditimi të AKA-së të bëjnë ngarkimin e disertacionit të doktoratës dhe të publikimeve në revistat e indeksuara, në platformat e përcaktuara me Manualin e AKA-së për akreditim.

“Ky vendim obligon zbatimin e përpiktë të standardeve evropiane të cilësisë të cilat decidivisht thonë se “institucionet (e arsimit të lartë) kanë politika dhe procese që garantojnë dhe përmirësojnë cilësinë e aktiviteteve të tyre, si hulumtimi dhe qeverisja”.

Si ministre e Arsimit pres që rastet e plagjiaturës të raportuara deri tash të trajtohen me seriozitet nga organet e Universitetit të Prishtinës”, shkroi ajo.

Nagavci më tej ka thënë se një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë është ngritja e cilësisë në arsimin e lartë. /Zëri