Alarmet e rreme për bomba në rajon - Çka dihet deri tash?
Foto: REL

Alarmet e rreme për bomba në rajon - Çka dihet deri tash?

Aktuale May 19, 2022 - 17:23

Kosova u bë vendi i fundit në Ballkan ku u alarmua për mjete shpërthyese në institucione, pas një varg kërcënimesh në të paktën katër vende të tjera të rajonit në muajt e fundit.

Ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë e shohin këtë situatë si përpjekje për destabilizim të rajonit duke ndikuar edhe në konsumimin e panevojshëm të resurseve policore në këto vende.

Kërcënime të ndryshme për mjete shpërthyese deri më tani ka pasur në Mal të Zi, Serbi, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë.

Më 17 dhe 18 maj, në Kosovë u raportua se ka pasur alarm për mjete shpërthyese në ndërtesën e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës dhe në shkollën e mesme “Xhevdet Doda” në kryeqytet.

Informacioni për mjet shpërthyes në Rektorat ishte pranuar drejtpërdrejt në adresën elektronike të këtij institucioni, ndërsa informacioni për mjet shpërthyes në shkollën “Xhevdet Doda” i kishte ardhur Policisë, e cila i evakuoi menjëherë nxënësit.

Të dy alarmet rezultuan të rreme.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë duke zhvilluar hetime për të dyja rastet, por deri më tani nuk është bërë ndonjë arrestim. Policia, gjithashtu, nuk ka bërë të ditur nëse kanë arritur t’i identifikojnë adresat prej nga kanë ardhur këto kërcënime.

Dukagjin Pupovci, zëvendësministër i Arsimit në Kosovë, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, tha se “nuk ka arsye për shqetësim”, pas raportimeve për bomba në institucionet e arsimit.

“Forcat e rendit po marrin të gjitha hapat e nevojshëm për të adresuar çdo kërcënim të sigurisë”, tha ai.

Rashit Qalaj, ish-Drejtor i Policisë së Kosovës dhe tani anëtar i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes në Kuvendin e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se ndonëse kërcënimet për bomba nuk ka shumë gjasa të rezultojnë të vërteta, të gjitha raportimet duhet marrë seriozisht.

Sipas tij, shqetësues mbetet kapaciteti i ulët i organeve të rendit në Kosovë për të hetuar në formë më efektive kërcënimet kibernetike, në këtë rast adresat nga vijnë këto alarme të rreme.

“Kapacitetet nuk janë të mjaftueshme, edhe pse Policia e Kosovës e ka një njësi që merret me luftimin e krimeve kibernetike, por këto kapacitete duhet të shtohen”, tha Qalaj.

Ai, po ashtu, tha se duke pasur parasysh që kërcënimet e ngjashme kanë kapluar disa vende të Ballkanit, duhet shtuar “bashkëpunimin rajonal të policive” për t’iu afruar kapjes së autorëve.

Rikujtojmë se Kosova nuk ka arritur të bëhet pjesë e Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL), përmes së cilës mund të lëshohen fletë-arreste ndërkombëtare.

Si nisën kërcënimet për bomba?

Mali i Zi ishte ndër shtetet e para në Ballkan që pranoi kërcënime serioze për mjete shpërthyese nëpër institucione publike e private që nga fundi i muajit mars.

Më 1 prill, atje u evakuuan nxënësit dhe personeli nga dy shkolla pas një e-maili kërcënues se ishin vendosur bomba.

Qeveria e Malit të Zi kishte njoftuar se kishte marrë një e-mail kërcënues, ku thuhet se dërguesi është organizata “Shteti i Burrave” dhe menaxheri i saj Vladislav Podznjakov dhe se ndër kërkesat e tyre është edhe “ndërrimi i pushtetit në Mal të Zi”.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KETU