Miftaraj: Komentimi i vendimeve gjyqësore nga partitë politike, ndërhyrje në sistemin gjyqësor

Miftaraj: Komentimi i vendimeve gjyqësore nga partitë politike, ndërhyrje në sistemin gjyqësor

Aktuale May 17, 2022 - 15:36

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka deklaruar se komentimi i vendimeve gjyqësore nga ana e partive politike është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në pavarësinë e sistemit gjyqësor.

Këtë deklaratë Miftaraj e ka bërë në rrjetin social Facebook, pasi zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje u deklaruan kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Prizren, e cila të martën e dënoi me tre vjet burgim deputeten e kësaj partie, Jetmire Vrenezi, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Komentimi i vendimeve gjyqësore (të drejta, të padrejta, të bazuara, të pabazuara) nga ana e partive politike është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në pavarësinë e sistemit gjyqësor”, shkroi Miftaraj, duke shtuar se Komisioni Evropian përmes raportit të progresit jorastësisht i potencon çdo vit si probleme serioze politizimin dhe ndërhyrjet e politikës në sistemin gjyqësor në Kosovë.

Tutje, ai ka thënë se vettingu nuk ka alternativë, por se me deklarata të tilla politike partia në pushtet nuk i ndihmon fare kërkesës popullore dhe nevojës për vetting në sistemin gjyqësor dhe prokurorial, “përkundrazi po e dëmton atë rëndë”.

“IKD-ja në vazhdimësi ka kërkuar nga partitë politike që të mos propozojnë në lista për deputetë kandidatë të akuzuar për korrupsion. Andaj, kur sot u dënohen deputetët për vepra penale korruptive, llogari duhet kërkuar nga kryetari i partisë, Kryesia e partisë dhe edhe vetë Këshilli i Përgjithshëm. Qeverisja me duar të pastra nuk matet me deklarata politike, por me veprime”, përfundoi Miftaraj.