Edhe çerdhet private shtrenjtojnë çmimet

Aktuale April 06, 2022 - 23:07

Ngritjes së çmimeve në vendin tonë i janë bashkuar edhe disa nga çerdhet private. Ato e kanë ngritur çmimin e pagesës mujore të paktën për 10%.

Këtë ngritje e ka konfirmuar edhe kryetarja e asociacionit të institucioneve parashkollore private.

Nga 100 euro sa ishte muajin e kaluar, tani prindërit duhet të paguajnë nga 110 euro për qëndrim ditor për fëmijët në çerdhet private. Ky është çmimi i njërës për çerdheve private në Prishtinë, derisa ngritje deri 10 për qind ka pothuajse në të gjitha çerdhet.

Ngritja e çmimeve konfirmohet edhe nga kryetarja e Asociacionit të institucioneve parashkollore private Gëzime Rexhepi Çollaku.

Shkak është ngritja e çmimeve të përgjithshme në vend.

" Sa i përket çmimeve është treg i lirë dhe varësisht se sa kopshti ka qëndrueshmëri në treg, janë dy çështje: Të funksionon apo të ngritë çmimin apo të mbyllë veprimtarinë e të funksionarit”, ka thënë Çollaku.

" Është treg i lirë dhe çmimin e përcakton vet institucioni i cili funksionon", tha ajo.

Në të kundërtën, janë dy rrugë. Ose mbyllje e çerdheve ose ngritje e çmimeve. Në këtë rast, drejtuesit në këtë sektor kërkojnë ndihmën e qeverisë.

Lidhur me ngritjen e çmimeve në disa çerdhe private në Prishtinë e kanë konfirmuar edhe disa prindër, të njëjtit nuk kanë pranuar të flasin para kamerës , mirëpo kanë thënë se edhe kjo ngritje e çmimit në çerdhet private po u'a vështirëson koston mujore.

Në tërë territorin e Kosovës sipas MASHT-së janë të licencuara 177 kopshte private që përfshijnë fëmijët nga mosha 0-6 vjeç.

Aktualisht në këto kopshte janë të përfshirë 6983 fëmijë ( rreth 7 mijë fëmijë )

Nënkryetari i komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, për RTK-në bëri të ditur se janë duke planifikuar shtimin e numrit të çerdheve publike. Sikurse ndërtimin e çerdhes "Xixëllonjat", në vlerë 400,000 euro.

Sipas tij, edhe Ministria e Arsimit do të ndërtojë një çerdhe në qytetin e Prishtinës, ku komuna ka ndarë edhe parcelën tokësore.

Ndryshe, në çerdhet publike nuk ka ngritje të çmimeve.