Rikthehen në punë gjyqtarët serbë në Gjykatën e Mitrovicës, pas bojkotimit 7-ditësh

Rikthehen në punë gjyqtarët serbë në Gjykatën e Mitrovicës, pas bojkotimit 7-ditësh

Aktuale April 05, 2022 - 10:49

Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë mëngjesin e së martës janë rikthyer në punë të gjithë gjyqtarët serbë, të cilët nuk janë paraqitur në gjykatë që nga 25 marsi.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar nënkryetari i kësaj gjykate, Bekim Veliqi.

Ndryshe, Veliqi ditën e djeshme konfirmoi se në cilësinë e nënkryetarit të gjykatës ka thirrur një takim me gjyqtarët nga komuniteti serb, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, gjatë kësaj periudhe në gjykatë janë paraqitur një numër i vogël i gjyqtarëve serbë, për të proceduar me rastet e natyrës urgjente.

Po ashtu, edhe stafi mbështetës i gjyqtarëve serbë janë paraqitur në punë që nga dita e dytë e bojkotimit të punës nga ana e gjyqtarëve.

Ditë më parë, nënkryetari Veliqi për “Betimi për Drejtësi” ka bërë të ditur se një numër i gjyqtarëve serbë që nuk po paraqiten në punë kanë marrë pushime vjetore, njëri nga ta është në pushim mjekësor, dy gjyqtare të këtij komuniteti janë të angazhuara në Gjykatën e Apelit – dega në Mitrovicë, ndërsa një gjyqtar është i angazhuar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Gjyqtarët e komunitetit serb nuk janë paraqitur në punë që nga 25 marsi, pas suspendimit të kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Ljiljana Stevanoviq.

Ndërsa, që nga dita e martë e javës së kaluar janë paraqitur në punë stafi mbështetës i gjyqtarëve të komunitetit serb, kurse nga e mërkura janë paraqitur edhe një numër i gjyqtarëve serbë.

Bojkotimi i punës nga ana e gjyqtarëve të komunitetit serb erdhi pasi Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në takimin 24 marsit 2022, ka marrë vendim që ta suspendojë kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviq, deri në një vendim të radhës. Suspendimi i Stevanoviq u bë pas pjesëmarrjes së saj në takim me Aleksandër Vuçiq, president i Serbisë.

Ndryshe, lajmin për inicim të procedurës disiplinore ndaj gjyqtares e kishte konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, Antigona Uka-Lutfiu, zëdhënëse e Gjykatës Supreme.