Dy shqiptarë po luftojnë në Ukrainë, thotë komandanti i Legjionit të Vullnetarëve të Huaj

Dy shqiptarë po luftojnë në Ukrainë, thotë komandanti i Legjionit të Vullnetarëve të Huaj

Aktuale March 03, 2022 - 19:47

Mamuka Mamulashvili, komandant i Legjionit të Vullnetarëve të Huaj në Ukrainë, thotë se deri tani është një numër prej vetëm dy shqiptarësh që kanë shkuar në Ukrainë për të luftuar kundër Rusisë.

Mamulashvili gjatë një interviste për “Euronews Albania” tha se janë në pritje të mbërritjes së rreth 30 shqiptarëve të tjerë për t’iu bashkuar luftës në Ukrainë të cilët kanë aplikuar për t’iu bashkuar luftimeve përmes kontakteve nga rrjetet sociale.

“Janë dy vullnetarë shqiptarë që po luftojnë me ne. Kanë ardhur këtu për të ndihmuar Ukrainasit për të mbrojtur vendin e tyre. Kanë ardhur pas nisjes së konfliktit. Ka aplikime nga Shqipëria por ende nuk kanë ardhur. Ka gati 20-30 aplikime”, deklaroi ai.

Komandant i Legjionit të Vullnetarëve të Huaj shprehet se asnjë prej vullnetarëve nuk paguhet por kanë shkuar atje për idealin e demokracisë dhe për të mbrojtur Ukrainën nga gjenocidi rus.

“Siç kanë pasur shqiptarët gjenocidin e tyre e njëjta gjë po ndodh këtu. Rusët me qëllim po vrasin gratë dhe fëmijët në një shkallë të gjerë”, tha ai.

Luftëtari shprehet se deri tani nuk kanë pasur asnjë humbje jete në grupin e tyre pavarësisht se pozicionet e tyre janë bombarduar gati 30 herë nga forcat ruse me helikopterë.

Mamulashvili thotë se Rusia po përdor në Ukrainë raketa balistike duke bombarduar qëllimisht zona të banuara.

Ai tregon se që 14 vjeç është kapur nga forcat ruse gjatë pushtimit të Gjeorgjisë në vitin 2008 dhe është mbajtur në disa burgje në Rusi. Prej 8 vitesh lufton në Ukrainë që kur Rusia aneksoi Krimenë në 2014.

Intervista e plotë

EA: Dua të di në çfarë fronti jeni duke luftuar për momentin dhe si po e menaxhoni situatën?

Mamulashvili: Fatkeqësisht nuk mund ta them sepse është një luftë në shkallë të gjerë në të gjithë Ukrainën.

EA: Ju jeni komandanti i vullnetarëve ndërkombëtarë të huaj në luftën kundër Rusisë në Ukrainë, a mund të më thonë se sa është grupi i vullnetarëve që i është bashkuar forcave të Ukrainës në këtë përballje me Rusinë.

Mamulashvili: Ka shumë vullnetarë nga shumë vende të ndryshme, ata të cilët janë bashkuar edhe më përpara, janë njerëz që e duan lirinë që kanë ideale demokratike që i janë bashkuar këtij fronti. Të gjithë ne jemi duke u përpjekur ta mbrojmë Ukrainën. Kemi edhe vullnetarë nga Shqipëria gjithashtu.

EA: Sa vullnetarë ka nga Shqipëria?

Mamulashvili: Për momentin janë dy.

EA: Janë shqiptarë që kanë jetuar në Ukrainë apo janë shqiptarë që pas nisjes së konflikti janë nisur nga Shqipëria?

Mamulashvili: Jo ata kanë ardhur këtu për të ndihmuar ukrainasit për të ndihmuar vendin e tyre. Po kanë ardhur pikërisht pas nisjes së konfliktit.

EA: Cila është rruga si vullnetarët i bashkohen me grupin që ju e komandoni në një farë mënyrë. Grupi i vullnetarë si organizohet nga shtete të ndryshme?

Mamulashvili: Të gjithë janë vullnetarë edhe tashmë që flasim, gjithsecili mund të vij nga çfarëdolloj drejtimi.

EA: Ata nuk paguhen janë thjeshtë vullnetarë pavarësisht se herë pas here janë kërkuar rezervistë dhe ushtarë të tjerë, nuk paguhen?

Mamulashvili: Asnjëri këtu nuk paguhet janë të gjithë vullnetarë dhe secili prej tyre përfaqëson vendin e tij në Ukrainë. Ko është pikërisht përballja që vendet e tyre sipas idealeve të tyre për demokraci, qoftë edhe nga Shqipëria që po vijnë dhe po përballen me agresionin rus në të gjitha mënyrat që munden. Ashtu si janë përballur shqiptarët me gjenocidin e tyre njëjta gjë është edhe këtu. Rusët me qëllim po vrasin gra edhe fëmijë në një shkallë të gjerë.

EA: Keni pasur humbje si kanë qenë këto 8 ditë luftime?

Mamulashvili: Jo asgjë, asnjë.

EA: Çfarë operacionesh keni organizuar ju? Sa prej sulmeve të suksesshme që kemi parë mbajnë vulën e divizionit që ju drejtoni?

Mamulashvili: Ne ishim të parët që u bombarduam nga helikopterët rus në rajonin e Kievit dhe kanë bombarduar gati 30 herë pozicionet tona.

EA: A keni kapur ju robër lufte rusë dhe çfarë po bëhet me ta?

Mamulashvili: Ka disa grupe të veçanta që punojnë me të burgosurit e luftës dhe merren me trajtimin e tyre.

EA: A janë përdor armë të ndaluara të shkatërrimit në masë gjatë këtyre tetë ditë luftime në ato që ju keni parë në frontet ku keni luftuar?

Mamulashvili: Po përdorin armë balistike, për të gjithë potencialin e tyre që ata kanë në arsenalin rus po shenjtërojnë me qëllim blloqet e banimit të civilëve dhe zonave të populluara.

EA: Nga cila kombësi janë vullnetarët që ju po trajnoni dhe udhëhiqni në këto ofensiva?

Mamulashvili: Këtu jemi të gjithë profesionist që janë si nga Gjeorgjia si nga vende të tjera. Të gjithë prej tyre kanë pasur përvojë ushtarake, të cilët vinë nga të gjitha ushtritë e tyre. Nga përgatitjet e tyre.

EA: Si vijnë këta vullnetarë, a ka një rrugë që mund të bëhet publike edhe për ata që duan ti bashkohen kësaj lufte?

Mamulashvili: Ne kemi dalë vullnetarë nëpërmjet kontakteve të mediave sociale dhe shumica prej tyre kontaktojnë me në nëpërmjet medias sociale dhe prej andej ne i japim udhëzimet se sim und të na bashkohen.

EA: A është Emanuel Bazanji një nga shqiptarët që po lufton bashkë me ju me vullnetarët?

Mamulashvili: Po ai është një nga ushtarët tanë.

EA: Si është gjendja e tij shëndetësore, ka pasur ndonjë sulm ndaj tij?

Mamulashvili: Jo nuk kemi patur asnjë rast dhe nuk besoj të kemi

EA: Emanueli është në krahun tuaj?

Mamulashvili: Ai është pjesëtar i një grupi që vepron në mënyrë autonome gjithmonë në komandë me mua.

EA: Cili është objektivi që kenë gjatë këtyre ditëve?

Mamulashvili: Ne do të mundim Rusinë. Ne nuk do të japim asnjë centimetër të territorit që ne mbrojmë.

EA: A mund ta arrini këtë gjë?

Mamulashvili: Ata e kanë humbur betejën tokësore dhe nuk mund të lëvizin asnjë centimetër prej pozicioneve që kanë marrë.

EA: A mund ta fitoj Ukraina këtë luftë?

Mamulashvili: Po 100%, ne do ta fitojmë. Po dhe do t’i tregojmë të gjithëve që Ukraina është në formën e saj më të mirë dhe mund të luftojë kundër një superfuqie si Putini.

EA: Ju vetë si i jeni bashkuar kësaj lufte?

Mamulashvili: Unë kam qenë i kapur në burg nga rusët që 14 vjeç. Kam qenë në Gjeorgji që në 93 dhe pastaj kam qenë në burgjet e Rusisë.

EA: Është hera e parë që luftoni në Ukrainë apo historia më lartë lidhet pikërisht me rezistencën që mund të keni bërë në periudha të ndryshme në rajone të ndryshme?

Mamulashvili: Unë jam duke e luftuar Rusinë kudo që modem. Sot në Ukrainë ne po mbrojmë lirinë e ukrainasve. Unë km qenë këtu prej 8 vitesh dhe po i luftojmë rusët prej kaq kohësh. Ka qenë një luftë e deklaruar dhe deri tani asgjë nuk ndryshon.

EA: A keni vullnetarë të tjerë që prisni t’i bashkohen grupimeve tuaja në këtë luftë?

Mamulashvili: Ka shumë vullnetare që po përpiqen të vijnë në Ukrainë dhe të kalojnë kufirin. Vetëm nga Gjeorgjia ne do të kemi 140 veta vetëm nesër.

EA: Po nga Shqipëria ka njerëz që janë nisur, ka kërkesa?

Mamulashvili: Ka aplikime por ende nuk kanë ardhur.

EA: Mund të më thoni një numër të saktë të aplikimeve?

Mamulashvili: Do thosha jo sa nga Gjeorgjia por gati 20-30 veta.

EA: Si është morali i luftëtarëve dhe si mundoheni t’i mbani ata në moral të mirë për t’ia dalë?

Mamulashvili: Njerëzit që vijnë me ideologjinë e tyre për të mbrojtur lirinë, e dinë se çfarë presin, e dinë çfarë domethënë represion dhe nuk kanë nevojë për motivim ekstra. /euronewsalbania