Lirimi i serbëve që u kapën me emblema të UÇK-së, Haxhiu: Njëri nga të arrestuarit komunikonte me Rusinë
Foto:ZKM

Lirimi i serbëve që u kapën me emblema të UÇK-së, Haxhiu: Njëri nga të arrestuarit komunikonte me Rusinë

Aktuale February 28, 2022 - 14:07

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka dhënë detaje në lidhje me arrestimin e më pas lirimin e tre shtetasve të Serbisë, të cilët u kapën në Prishtinë pasi kishin blerë emblema të UÇK-së,

Sipas Haxhiut, të shtunën në orën 17 e 10 në Prishtinë, Policia kishte shoqëruar në Stacion të Policisë tre shtetas serbë, pasi që gjatë kontrollit të veturës, atyre iu ishin gjetur pesë emblema të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ministrja tha se së paku njëri nga të ndaluarit kishte pasur komunikime të shumta me persona nga Federata ruse, individë të strukturave të inteligjencës serbe.

“Sipas informacioneve nga institucionet e sigurisë, personat e dyshuar kanë hyrë nga Serbia në Kosovë në po të njëjtën ditë, pra të shtunën; kanë tërhequr shuma të konsiderueshme të parave dhe më tutje kanë shkuar për të blerë veshmbathje ushtarake në një nga dyqanet në Prishtinë. Sipas institucioneve të sigurisë, personat në fjalë, nga kamerat, shihen duke u interesuar për të blerë veshmbathje ushtarake dhe uniforma, por edhe çizme, mirëpo për shkak se policia kishte rastisur aty, ata kanë blerë vetëm 5 emblema të UÇK-së. Institucionet e sigurisë kanë informacione se njëri, të paktën njëri nga personat e shoqëruar në polici, ka komunikime të shumta me persona nga Federata ruse, individë të strukturave të inteligjencës serbe”.

Shefja e Drejtësisë në Kosovë thonë se “këto informacione kanë mjaftuar për të rritur dyshimin se personat në fjalë bashkë me strukturat e Serbisë, të përgatisnin ndonjë aktivitet, që do të cenonte sigurinë dhe do të shtonte tensionet në Republikën e Kosovës”.

Mirëpo, ajo thotë se edhe përkundër këtyre informacioneve, “Prokuroria, fatkeqësisht ka liruar në procedurë të rregullt personat e dyshuar”.

“Më duhet të them, që ky veprim i Prokurorisë është i çuditshëm, është i befasishëm, sikurse edhe për ne si Qeveri, por edhe për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe këto veprime janë injorim i ndonjë rreziku të mundshëm ndaj cenimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Pra, fakti që personat në fjalë nuk janë mbajtur as 48 orë në Stacion Policor, tregon mospërfilljen ndaj cenimeve të mundshme të sovranitetit dhe integritetit territorial”, shtoi ajo në një konferencë për media.

Ministrja e Drejtësisë kërkoi nga institucionet e vendit, që, “sidomos gjatë këtyre rrethanave të krijuara, por natyrisht jo vetëm, mirëpo sidomos për shkak të rrethanave të krijuara pas agresionit rus ndaj Ukrainës dhe rreshtimit të Serbisë krah Rusisë, pra në mbështetje të hapur të agresionit rus mbi Ukrainën, të kenë bashkëpunim të fuqishëm dhe jo injorim të rreziqeve të mundshme”.

“Në të kaluarën, vetëm kur kemi pasur bashkëpunim institucional, qoftë të institucioneve të sigurisë, ku përfshihet këtu edhe Policia, edhe AKI-ja, por edhe Prokuroria dhe Gjykata, konsideroj që, kemi pasur sukses. Pra, vetëm kështu, duke bashkëpunuar, i mbrojmë qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe vet Republikën e Kosovës. Në fakt, këto veprimet e fundit dëshmojnë, që reformat, që kemi nisur si Ministri e Drejtësisë, janë të domosdoshme, janë të nevojshme, janë më të nevojshme se kurrë dhe për të cilat do të punojmë pa ndalë”, përfundoi Haxhiu. /Zëri