Vuçiqi s’pajtohet me deklaratën e Scholzit se Serbia u bombardua për ta ndalur gjenocidin në Kosovë
Foto: Zëri / arkiv

Vuçiqi s’pajtohet me deklaratën e Scholzit se Serbia u bombardua për ta ndalur gjenocidin në Kosovë

Aktuale February 19, 2022 - 22:07

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk është pajtuar me deklaratën e kancelarit të ri gjerman, i cili ditë më parë nga Moska tha se NATO-ja e bombardoi Serbinë për të ndalur gjenocidin në Kosovë, duke iu referuar persekutimit ndaj shqiptarëve.

Olaf Scholz, këto deklarata i bëri gjatë një konference për media me presidentin rus, Vladimir Putin, në Kremlin, ndërsa u nxit nga deklarimi i Putinit, i cili përmendi bombardimet e NATO-s ndaj forcave serbe gjatë luftës në Kosovë më 1999 si një shembull të asaj që ai tha se ishte sjellje agresive e aleancës, raporton Zeri.info.

E Vuçiqi po thotë se këtë deklaratë nuk do ta bënte kurrë paraardhësja e Scholzit, Angela Merkel.

“Olaf Scholz deklaroi se ata donin të parandalonin gjenocidin. Angela Merkel nuk do ta thoshte kurrë këtë. Ajo do të thoshte se ata parandaluan një katastrofë humanitare. Tani ata po thirren në të drejtën ndërkombëtare dhe ku ishte kjo e drejtë derisa NATO vriste serbët?”, tha Vuçiqi në një intervistë për “Tanjugun”.

Tutje, ai foli edhe për deklaratën e ministrit rus të Jashtëm, Sergey Lavrov, i cili dje pretendoi se mercenarë nga Kosova, Shqipëria e Bosnja e Hercegovina po shkojnë në Ukrainë. Vuçiqi tha se pas pak ditësh do të takohet me shefin e sigurimit rus, ku tha se do të mësojë gjithçka.

“Sergey Lavrov është shumë i saktë në informacionet e tij. Nuk e di nëse vijnë luftëtarë nga Kosova e Metohija, por zoti Patrushev, shefi i shërbimit sekret [rus], pas disa ditësh vjen në Beograd, kështu që ne do të dimë gjithçka. Lavrovi mban mend shumë dhe nuk është e lehtë të flasësh me të”, deklaroi Vuçiqi.

Presidenti serb më tej shtoi se ministria e Jashtme serbe komunikon me ambasadën në Ukrainë, “nëse ka nevojë do të zhvendosim njerëzit, por shpresoj të mos ketë nevojë”. /Zëri