Apeli konfirmon aktakuzën ndaj ish-kryetarit të Kllokotit, ngarkohet për cenim të përcaktimit të lirë të votuesve

Apeli konfirmon aktakuzën ndaj ish-kryetarit të Kllokotit, ngarkohet për cenim të përcaktimit të lirë të votuesve

Aktuale January 11, 2022 - 15:10

Gjykata e Apelit e ka lënë në fuqi vendimin e Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin ishte konfirmuar aktakuza për cenim të përcaktimit të lirë të votuesve ndaj ish-kryetarit të Komunës së Kllokotit, Bozhidar Dejanoviq.

Ai po akuzohet se kishte ndikuar në votimin e Listës Serbe dhe kandidatëve të preferuar të tij nga ky subjekt, në zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit 2021, në Republikën e Kosovës.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar vendimin e Apelit për këtë rast, në të cilin thuhet se është refuzuar si e pabazuar ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit Dejanoviq, avokatit Elmi Qerimi.

Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë ka dhënë arsye të mjaftueshme që aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se Dejanoviq ka kryer veprën penale që i vihet në barrë.

Apeli e ka konsideruar si të paqëndrueshëm pretendimin e mbrojtjes në drejtim të provave, se të njëjtat nuk ofrojnë cilësi, besueshmëri e rëndësi. Sipas Apelit, pretendimi i tillë në këtë fazë nuk ka relevancë në vendosje meritore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kjo gjykatë tërheq vëmendje se ky stad i procedurës penale trajton vetëm ligjshmërinë e procedurës penale në drejtim të krijimit të dyshimit të bazuar, ndërsa për vlerësimin e provës është stadi që gjykata e realizon në fazën e shqyrtimit gjyqësor”, thuhet në vendim të Apelit.

Në fund të vendimit të Apelit, thuhet se gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejtë kur ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, meqë sipas Apelit, pretendimet ankimore të mbrojtjes në këtë fazë të procedurës penale u vlerësuan si të pabazuara.

“Ndërsa nuk ekzistojnë arsyet e parapara ligjore për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, ashtu siç parashohin dispozitat ligjore për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimet e provave, ashtu siç parashohin dispozitat ligjore të parapara me nenin 250 par.1 nën paragrafi 1.1, 1.2, 1.3 dhe 1.4 dhe 249 të KPP-së”, thuhet në vendim të Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.