Qeverisë i dështon furnizimi me patenta shoferi ndërkombëtare

Qeverisë i dështon furnizimi me patenta shoferi ndërkombëtare

Aktuale November 08, 2021 - 11:54

Ministria e Punëve të Brendshme në tetor pati hapur një tender, me anë të të cilit do të gjendej një operator ekonomik për furnizim me patenta shoferi ndërkombëtare.

Lëshimi i kësaj patente u pasqyrua nga Qeveria e Kosovës si një arritje për vendin. Por, njohësit e kësaj fushe, si Nol Dedaj, e shihnin si “nul”, pasi kjo patentë nuk do të njihej ndërkombëtarisht, raporton “Zëri”.

Megjithatë, MPB-ja thoshte se kërkesa nga qytetarët e Kosovës që punojnë jashtë vendit, specifikisht nga ata që punojnë në Irak, Afganistan, Uzbekistan e Arabi Saudite, edhe pse nuk dihej nëse do të pranohej.

Ministria më 20 tetor hapi tenderin për furnizim me 4800 patenta shoferi ndërkombëtare bllanko. Vlera e parashikuar e këtij tenderi ishte 9.600 euro.

Ftesës së MPB-së nuk iu përgjigj asnjë operator ekonomik, duke çuar në anulimin e tenderit, i cili pritet të shpallet përsëri.

Patenta ndërkombëtare e shoferit kushton 10 euro që të merret dhe është e pavlefshme, nëse nuk përcillet me patentën e rregullt kosovare të shoferit.

“Patenta e shoferit ndërkombëtare (PSHN) – dokument i nxjerrë sipas kërkesës së palës, i cili i mundëson mbajtësit të tij që ta drejtojë automjetin në ato shtete jashtë Kosovës, të cilat e kërkojnë këtë dokument plotësues, sipas Konventës së Vjenës për Trafikun Rrugor, të dt. 8.11.1968. Është një dokument plotësues, i përkthyer në shumë gjuhë, i cili i përshkruan të dhënat nga patenta e shoferit e lëshuar nga institucioni kompetent i shtetit, që ka fotografi të drejtuesit të automjetit dhe të dhëna relevante mbi të drejtën për drejtim”, kanë bërë të ditur në MBP-ja.

Kosova ka vite e vite që negocion me Qeverinë e Gjermanisë që të njihen patentat e shoferit të Kosovës atje, por ende nuk ka një marrëveshje. Nevoja për këtë njohje është shtuar edhe më shumë kur qeveria gjermane ka hapur kufijtë për punëtorët e Ballkanit Perëndimor. /Zëri