Haradinaj thotë se Kurti me urgjencë duhet t’i riparojë raportet me SHBA-në

Haradinaj thotë se Kurti me urgjencë duhet t’i riparojë raportet me SHBA-në

Aktuale November 05, 2021 - 22:02

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar pasi Kosova nuk është ftuar në Samitin e Demokracisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se kjo duhet të i shqetësojë të gjithë për siç thotë, shkallën e degradimit të raporteve me SHBA-në nga Qeveria e Kurtit.

“Mos-ftesa e Kosovës në Samitin e Uashingtonit duhet të na shqetësojë të gjithëve pa dallim dhe të shërbejë si sinjal alarmi për shkallën e degradimit të raporteve me ShBA-të si rezultat i qeverisjes së Albin Kurtit. Aftësitë eksperimentale dhe manipuluese të kryeministrit Kurti në emër të Kosovës në raportet me ShBA-të, janë të papranueshme dhe nuk duhet të tolerohen nga askush”, tha ai.

Sipas tij, ky degradim i raporteve strategjike me SHBA-në, duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë.

“Ky degradim i raporteve strategjike me ShBA-të, duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë dhe Kosova ta rikthejë tashmë besimin e venitur”, ka thënë Haradinaj.

Po ashtu, Haradinaj ka thënë se Kosova s’ka kohë për të humbur e as partner më të afërt se SHBA-ja, duke e ftuar Kurtin për riparim të raporteve dhe partneritetit me SHBA-në.

“Ftoj kryeministrin Kurti sa më parë të lirohet nga politikat dhe veprimet për llogari të interesave të ngushta dhe agjendave e projeksioneve që synojnë zbehjen e rolit amerikan në Kosovë e rajon. Kosova nuk ka kohë për të humbur, as nuk ka partner më të afërt sesa ShBA-të, andaj Kryeministri me urgjencë duhet t’i riparojë raportet dhe partneritetin e besueshëm e të shëndoshë me ShBA-të si aleati ynë strategjik”, tha Haradinaj.

Në fund ai ka thënë se “Asnjëherë nuk do ta lejojmë shndërrimin e Kosovës në laborator të eksperimenteve neo-komuniste evropiane që kryeqendër e kanë Moskën dhe qëllim parësor e kanë zbehjen e prezencës dhe rolit të ShBA-ve në Kosovë, rajon e më gjerë”. /Zëri