Kuvendi miratoi ndryshimet e propozuara nga ish-ministri Vitia në 15 projektligje të shëndetësisë
Kuvendi i Kosovës në seancën e rregulltë qëu mbajt sot ka miratuar 15 projektligje të plotësuara/ndryshuara.
Të 15 projektligjet ishin propozuar në një nga mbledhjet e Qeverisë së Kosovës javë më parë, kur ende ministër i Shëndetësisë ka qenë Arben Vitia, shkruan Zëri.
Vitia në kohën e propozimit të këtyre projektligjeve kishte thënë se me këto ndryshime do t’i hapet rrugë reformave.
Ish-ministri tjetër, nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj ka thënë se gjithë kjo pako e ndryshimeve është më shumë improvizim se sa ndryshime përmbajtësore.
“Sjellja e 15 ligjeve për plotësim ndryshim në sektorin e shëndetësisë është më shumë improvizim se sa ndryshim përmbajtjesor, edhe I cili do të avanconte shërbimet shëndetësore apo edhe ruajtjen e shëndetit publik. Qeveria duhet t’i kthehet seriozitetit të punës, dhe jo improvizimeve sidomos në fushën e shëndetësisë”, tha ai.
Megjithatë, aty ishte u.d. ministrja e Shëndetësisë Dafina Gexha- Bunjaku, që foli për projektligjet.
“Projektligjet e sektorit të shëndetësisë, kanë për qëllim harmonizimin e dispozitave ligjore konform nenit 167 të Ligjit për kundërvajtje, me të cilin është përcaktuar që me hyrjen në fuqi të Ligjit për kundërvajtje të gjitha institucionet kanë pasur për obligim që brenda afatit prej një viti, nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji në vitin 2017 të harmonizohen ligjet përkatëse. Prej vitit 2018, Ministria e Shëndetësisë një gjë të tillë nuk e ka realizuar. Andaj, me qëllim të adresimit të obligimit ligjor është bërë harmonizimi i projektligjeve në fushën e shëndetësisë, i cili do të fuqizojë mekanizmat e kontrollit të mbikëqyrjes në shqiptimin e sanksioneve kundërvajtës nga inspektorati shëndetësore, ai farmaceutik, dhe inspektorati sanitar në pajtim me ligjin për kundërvajtje. Miratimi projektligjeve për plotësim ndryshimin e ligjeve në sektorin e shëndetësisë do të krijoj një siguri juridike për mbrojtjen e shëndetit përmes së cilës nga inspektoratet relevante, do të ndëshkohet personi fizik, dhe personi përgjegjës i pësonit juridik”, tha ajo.