Qeveria do t’i subvencionojë qytetarët që humbën punën gjatë pandemisë

Qeveria do t’i subvencionojë qytetarët që humbën punën gjatë pandemisë

Aktuale August 06, 2021 - 15:15

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, sot ka marrë vendim për përcaktimin e kritereve dhe kushteve lidhur me masën 1.1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike - rikthimi në punë i atyre që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë.

Përmes masës 1.1, secilit punonjës që ka qenë i punësuar në periudhën dhjetor 2019 – shkurt 2020 dhe e ka humbur vendin e punës do t’i subvencionohet paga bruto deri në 50% për 3 muaj, duke filluar nga periudha tatimore korrik 2021.

Kusht për subvencionim është që përfituesi të mos ketë qenë i deklaruar si i punësuar në periudhën prill 2021 – qershor 2021.

“Për të përfituar nga subvencioni, punëtorët e rinj duhet të kualifikohen për masën 1.1, ku verifikimi do të bëhet përmes uebfaqes së ATK-së. Më pas, të kualifikuarit duhet të deklarohen nga punëdhënësi në deklaratën e rregullt mujore që dorëzohet në sistemin elektronik EDI të ATK-së, duke filluar nga data 1 gusht 2021 (për periudhën tatimore korrik 2021). Pasi të jetë bërë deklarimi, punëdhënësi duhet të plotësojë formularin për subvencionim, po ashtu përmes sistemit EDI”, thuhet në njoftim.

Aplikimi për subvencion nga masa 1.1 do të mundë të bëhet deri më 15.10.2021.

“Për vegzën elektronike për kualifikim, hapjen dhe udhëzuesin e aplikimit, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve do të njoftojë publikun gjatë ditëve në vijim”, bëhet e ditur në njoftim. /Zëri