Selmanaj: Mosmiratimi i rezolutës dëshmoi se qeveria “Kurti” është kundër agjendës amerikane për Kosovën

Selmanaj: Mosmiratimi i rezolutës dëshmoi se qeveria “Kurti” është kundër agjendës amerikane për Kosovën

Aktuale August 06, 2021 - 13:25

Në seancën e sotme të Kuvendit nuk është miratuar një rezolutë e LDK-së për zbatimin e Marrëveshjes së Washingtonit, marrëveshje kjo e arritur më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në mes të Kosovës, Serbisë dhe SHBA-së.

Lidhur me këtë ka reaguar deputeti i LDK-së Driton Selamanaj, i cili ka thënë se pas këtij mosmiratimi u dëshmua se qeveria “Kurti” është kundër agjendës amerikane për Kosovën.

Ai ka shtuar se një qasje e tillës është kundër Kosovës.

“Kjo Rezolutë mori mbështetjen vetëm të deputetëve të opozitës, votat e të cilëve ishin të pamjaftueshme për ta marrë miratimin e saj. Përkundër thirrjeve të vazhdueshme edhe nga administrata e re e presidentit Biden, për domosdoshmërinë e zbatimit të kësaj marrëveshjeje, Qeveria dhe shumica parlamentare në Kuvend vendos që të sillet dhe të veprojë kundër kësaj agjende strategjike të shtetit tonë. Qasja e tillë është kundër Kosovës dhe kundër interesave strategjike për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Vetëm dhe vetëm në koordinim të ngushtë me SHBA-në, Kosova e ka të garantuar perspektivën dhe zhvillimin e saj. Rrugë tjetër nuk ka!”, ka shkruar Selmanaj në Facebook.

Pro kësaj rezolute votuan vetëm 24 deputetë, ndërkaq 57 abstenuan. Deputetët e partisë në pushtet, ata të Lëvizjes Vetëvendosje, abstenuan për miratimin e saj, derisa në sallë ishin gjithsej 83 deputetë.

Përmes kësaj rezolute i bëhej thirrje Qeverisë së Kosovës që të zbatonte këtë marrëveshje dhe të përgatiste një plan veprimi që do t’i dorëzohej Kuvendit. /Zëri