Komuna e Gjilanit “lejon” daljen e të gjithë qytetarëve
“Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) u bën thirrje qytetarëve që të përmbahen nga daljet e panevojshme, për të lejuar më shumë hapësirë për mërgimtarët derisa ndodhen këtu për pushime”.
Ishte ky njoftim i lëshuar nga Komuna e Gjilanit gjatë ditës së sotme që ngjalli shumë të qeshura në rrjetet sociale.
Por, në mbrëmje, Komuna doli me një njoftim të ri, ku tentoi të arsyetohej për atë deklaratë.
Aty thuhet se “njoftimi ka qenë në frymën e asaj që qytetarët të tregojnë më shumë kujdes për veten e edhe për mërgimtarët”.
“A keni dalë sot a jo? Sa për sqarim, informata e sotme ka qenë citim nga mbledhja e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), në frymën e asaj që të kemi më shumë kujdes për veten dhe sidomos për mërgimtarët, duke ditur kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për ne dhe meqë, përveç tjerash, rreziku nga pandemia nuk ka kaluar”, thotë Komuna në njoftimin e ri.
“Përndryshe, dilni sa të doni. Natyrisht, duke respektuar masat në fuqi”, përfundon njoftimi i Komunës. /Zëri