Këto janë të gjitha vendimet që mori Qeveria sot
Foto: ZKM

Këto janë të gjitha vendimet që mori Qeveria sot

Aktuale July 28, 2021 - 16:34

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, ka zhvilluar mbledhjen e 21-të të rregullt në të cilën ka miratuar dy projektligje dhe vendime e dokumente të tjera nga fushat e përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore, raporton Zeri.info.

Në hapje të mbledhjes, kryeministri Albin Kurti ka shprehur edhe njëherë ngushëllimet për të gjitha familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre në fatkeqësinë e rëndë të komunikacionit në afërsi të Sllavonski Brodit, në Republikën e Kroacisë. Kryeministri ka falënderuar shtetin e Kroacisë, institucionet dhe drejtuesit shtetërorë të shtetit kroat për ndihmën e pakursyer dhe ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës që t’ju qëndrojë afër familjeve të viktimave të këtij aksidenti të rëndë.

Projektligji për punimet nga metalet e çmuara ka marrë miratimin e Qeverisë. Me këtë Projektligj përcaktohen kushtet e veprimtarisë dhe kër­kesat teknike për përbërjen, përmbajtjen dhe pas­tër­tinë e punimeve nga metalet e çmuara si dhe kushtet e kontrollimit dhe shë­nji­mit të punimeve, si dhe mbikëqyrjen metro­logjike. Pas miratimit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, ky ligj do të zbatohet nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës dhe subjektet që merren me për­pu­ni­min, importin dhe shitblerjen e punimeve nga me­talet e çmuara, gjysmë punimeve dhe lën­dë­ve përpunuese.

Projektligji për ratifikimin e Amendamentit të marrëveshjes së bashkëfinancimit për projektin “Programi mbështetës për ujësjellës dhe kanalizim në zonat rurale, Faza (dalëse)VI”, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Zvicrës, është Projektligji i dytë që ka marrë miratimin nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme. Me amendamentin e kësaj marrëveshjeje, rritet kontributi nga Qeveria e Zvicrës në këtë bashkëfinancim për 572 mijë franga zvicerane, me çka kontributi i përgjithshëm i Qeverisë Zvicerane shkon në 7 milionë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e dy milionë franga zvicerane. Amandamentimi i marrëveshjes modifikon edhe kohëzgjatjen e marrëveshjes dhe do të mbulojë periudhën 1 janar 2019 deri më 30 qershor 2022.

Qeveria ka miratuar në mbledhjen e sotme edhe Raportin gjashtëmujor, 1 janar-30 qershor 2021, të buxhetit të Republikës së Kosovës. Sipas Raportit, të hyrat e përgjithshme në këtë gjashtëmujor kapin shifrën prej 1,185.41 milionë euro, dhe paraqesin 45 për qind të planifikimeve, ndërsa krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit paraprak, ka një rritje prej 20% më shumë.

Shpenzimet e Buxhetit në këtë periudhë, sipas Raportit, kapin shumën prej 1026.98 milionë euro dhe paraqesin 38 për qind të shpenzimeve të planifikuara. Krahasuar me vitin paraprak, ka një rritje prej 93.24 milionë euro, ose 10% më shumë.

Në mbledhjen e sotme është riaprovuar edhe Raporti vjetor financiar për vitin 2020. Ky vendim shfuqizon vendimin Nr.06/06 të datës 12 prill 2021 të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe ky raport do të procedohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, sipas kërkesave të Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe të përgjegjësive. Riaprovimi është bërë pas rishqyrtimit dhe evitimit të lëshimeve teknike dhe sqarimeve të nevojshme të këtij raporti.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin për themelimin e Komisionit ad hoc për përzgjedhjen e pesë (5) anëtarëve të Bordit në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale në këtë përbërje:

Sami Dvorani, kryesues;

Fadile Dyla, Zv.Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, anëtare;

Irfan Lipovica, Zv.Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, anëtar.

Miratimin nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme e ka marrë edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit për kushtet e hyrjes, kalimit transit, qëndrimit në territorin e Republikës së Kosovës dhe regjimin e vizave në Republikën e Kosovës, nr. 15/158 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të datës 29.11.2013 si në vijim:

3. Bartësit e dokumenteve të udhëtimit për të huaj dhe dokumenteve valide të udhëtimit të lëshuara në bazë të Konventës për Statusin e Refugjatit (1951) dhe Konventës për Statusin e Personave pa Shtetësi (1954), të lëshuara nga vendet anëtare të BE-së dhe Zonës Schengen, si dhe Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda Veriore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Australia, Japonia, Zelanda e Re, lirohen nga nevoja për t’u pajisur me vizë kosovare për hyrje, transit dhe qëndrim në territorin e Republikës së Kosovës deri në 15 ditë pa vizë.

Ndërsa pika 4 e Vendimit nr. 15/158 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të datës 29.11.2013 plotësohet si në vijim:

Shtetasve të:

Shteteve anëtare të BE-së;

Shteteve anëtare të Zonës Schengen;

Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës Veriore;

Selisë së Shenjtë;

Principatës së Andorës;

Principatës së Monakos;

Republikës së San Marinos;

Republikës së Shqipërisë;

Republikës së Malit të Zi, dhe

Republikës së Serbisë,

Ju lejohet hyrja, transiti dhe qëndrimi deri në 90 ditë për një periudhë gjashtë (6) mujore, me letërnjoftim biometrik valid.

Shtojca 1 e Vendimit Nr. 15/158 të datës 29.11.2013 ndryshohet duke hequr asteriksin nga Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda Veriore, si shenjë dalluese për vendet anëtare të BE-së.

Pjesët e tjera të vendimit nr. 15/158 të datës 29.11.2013, vendimi nr. 08/167 i datës 22.01.2014 si dhe vendimi nr. 14/55 i datës 06.07.2018 mbeten në fuqi.

Qeveria ka ndarë 430 mijë euro për Ministrinë e Shëndetësisë, mjete këto që do të përdoren për pagesën e specializantëve për muajin korrik 2021. Ndërsa, pesë (5) milionë euro janë ndarë për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për zbatimin e Masës 2.5 të Pakos për Ringjalljen Ekonomike.

Me propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për pezullimin e përkohshëm të zbatimit të nenit 22 (Shtojca 1) të Rregullores për pagat, shtesat mbi pagë dhe kompensimet e tjera në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, deri në plotësimin dhe ndryshimin e Rregullores nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Miratimin e Qeverisë e ka marrë edhe nisma për lidhjen e aneksit të marrëveshjes për ndryshimin e shtojcës II të Marrëveshjes së tregtisë së lirë ndërmjet Republikës së Turqisë dhe Republikës së Kosovës, në lidhje me përkufizimin e konceptit të “produkteve të origjinës dhe metodat e bashkëpunimit administrativ”.

Qeveria në mbledhjen e sotme ka aprovuar edhe Koncept Dokumentin për sistemin e menaxhimit të performancës komunale dhe skemës së granteve të bazuara në performancë.

Me propozimin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Qeveria ka miratuar vendimin për rialokim të mjeteve në shumën prej 500 mijë euro. Mjetet e rialokuara do të përdoren për realizimin e 11 marrëveshjeve të mirëkuptimit për realizimin e projekteve kapitale të nënshkruara mes Ministrit të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe kryetarëve të komunave.

Miratimin e Qeverisë e ka marrë edhe propozimi tjetër i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për rialokimin e mjeteve në shumë prej 150 mijë euro për projektin kapital “Rehabilitimi i rrjetit të ujësjellësit” në Komunën e Deçanit, në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar nga ministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe kryetarit të Komunës së Deçanit. /Zëri