Vërshimet e sotme në Prishtinë, Tahir Ahmeti ka një këshillë për institucionet
Foto ilustruese

Vërshimet e sotme në Prishtinë, Tahir Ahmeti ka një këshillë për institucionet

Aktuale June 19, 2021 - 18:11

Si pasojë e reshjeve të shiut, sot në disa pjesë të Prishtinës ka pasur vërshime.

Lidhur me këtë njohësi i çështjeve të emergjencave dhe njëherësh Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë, Tahir Ahmeti ka thënë se këto vërshime mund të shkaktojnë dëme, pasi hyjnë në kategorinë e përmbytjeve të shpejta.

“Shiu i rrëmbyeshëm që ra sot në Prishtinë, vërshoi pjesë të mëdha të qytetit dhe fshatrave përreth. Këto vërshime hyjnë në kategorinë e përmbytjeve të shpejta, dhe mund të shkaktojnë dëme në fusha bujqësore apo në ekonomi familijare dhe biznesore”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Ahmeti ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të punojnë në këtë aspekt, në mënyrë që të zvogëlohet mundësia e vërshimeve si dhe dëmet të jenë më të vogla.

“Është evidente që sa herë që po kemi reshje më të theksuara po shkaktohen vërshime. Institucionet përgjegjëse si ato lokale ashtu edhe ato qendrore, duhet që në vazhdimësi të punojnë në rregullimin e shtretërve të lumenjëve, kanaleve të hapura dhe përrockave, si dhe në përmirësimin e infrastrukturës nëntokësore në vendet urbane, në mënyrë që të zvogëlohet mundësia e vërshimeve dhe dëmet e mundshme të jenë sa më të vogla”, ka thënë Ahmeti. /Zëri