Kurti shpalli armiqësore Shtëpinë e Bardhë, thotë deputetja e PDK-së

Kurti shpalli armiqësore Shtëpinë e Bardhë, thotë deputetja e PDK-së

Aktuale June 19, 2021 - 15:14

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka thënë se kryeministri Albin Kurti e ka shpallur armiqësore Shtëpinë e Bardhë.

Kjo pasi sipas Deliu-Kodrës, Kurti e ka kontestuar vlefshmërinë juridike të marrëveshjes dhe legjitimitetin e nënshkrimit të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Kryeministri Kurti shpalli armiqësore Shtëpinë e Bardhë duke kontestuar vlefshmërinë juridike të marrëveshjes dhe legjitimitetin e nënshkrimit të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Siç na kujtohet, ish-Kryeministri izraelit, pa qenë fare i pranishëm në takim dhe i përfshirë në negociata, por vetëm nëpërmjet një komunikimi me telefon me Presidentin amerikan konfirmoi vullnetin e Presidentit të SHBA-ve duke respektuar marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë dhe duken e zbatuar atë me njohjen e shtetit të Kosovës”, ka shkruar ajo në një postim në Facebook.

Ajo i ka quajtur veprime të rrezikshme përpjekjet për të armiqësuar marrëdhënien e Kosovës me SHBA-në.

“Përpjekjet për të armiqësuar marrëdhënien e Kosovës me SHBA-të, duke trilluar “thika mbi harta” dhe zhvlerësuar legjitimitetin e Shtëpisë së Bardhë për të ndërmjetësuar marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë janë veprime të rrezikshme që kërkojnë reagimin mbarë shoqëror. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë e vetmja garanci, të cilës populli i Kosovës i beson!”, ka përfunduar Deliu-Kodra./Zëri