Qyteti historik i Prizrenit me rrjet elektrik nëntokësor

Qyteti historik i Prizrenit me rrjet elektrik nëntokësor

Aktuale May 06, 2021 - 13:49

KEDS-i është duke realizuar një projekt madhor në qendrën historike të qytetit të Prizrenit. Atje komplet rrjeti elektrik po vendoset nën tokë.

Kjo do të mundësojë që qytetit të vjetër të Prizrenit t’i kthehet pamja e merituar, pasi me dhjetëra shtylla do të largohen përfundimisht nga atje, së bashku me të gjitha kabllot, dukepërfshirë të operatorëve kabllorë.

Krahas qendrës, plani investiv parasheh që edhe rrugët përreth zonës turistike e deri te Kalaja të bëhen me infrastrukturë të re energjetike nëntokësore.

Vlera e këtij investimi, që kap shifrën e rreth 600 mijë eurove, krahas futjes së kabllove nëntokë, përfshin edhe vendosjen e komplet stabilimenteve të reja në dy nënstacione që do të furnizojnë këto zona.

Përmes këtyre investimeve do të mundësohet ngritje e kapaciteteve, e cila do të ofrojë siguri në furnizim të qëndrueshëm dhe kualitativ për konsumatorët.

Se këto investime që po realizohen në qendrën e Prizrenit janë të mirëpritura e thotë edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.

“Këto punime që po zhvillohen në qendrën historike të Prizrenit nga ana e KEDS-it janë shumë të rëndësishme dhe të njëjtat do të krijojnë një pamje edhe më të bukur për qytetin tonë”, u shpreh ai.

Ndërkaq drejtori për Investime në KEDS, Hasan Oz, thekson se ky është vetëm fillimi i investimeve të mëdha në rrjet në Prizren.

“Ne besojmë se të gjitha vendet historike në Kosovë duhet të kenë rrjetin e rinovuar dhe tani koha është për Shadervanin e Prizrenit. Ky është hapi i parë i investimeve të mëdha në Prizren që do të vazhdojnë edhe në vitet e ardhshme”, tha Oz.

Investimet e KEDS-it në rrjet nëntokësor janë duke vazhduar me intensitet të lartë edhe në qendra tjera të Kosovës, ku brenda një të ardhmeje të shkurtër parashihet që të gjitha qendrat e qyteteve te përfitojnë nga investime të tilla.