Kusari-Lila: Deputetët e PDK-së kërcënuan Gërvallën, ndërsa ministri Peci i doli në mbrojtje
Foto: Laura Hasani

Kusari-Lila: Deputetët e PDK-së kërcënuan Gërvallën, ndërsa ministri Peci i doli në mbrojtje

Aktuale May 06, 2021 - 13:23

U.d. e shefit të Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka komentuar përleshjen mes deputetëve në Kuvend, raporton Zeri.info.

Sipas saj, deputeti i PDK-së ka folur fjalë të rënda dhe e ka fyer ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

“Me keqardhje po them, nuk mund të them se nuk mund t’i them fjalët që Memli Krasniqi i ka thënë, nuk ma lejon as kultura, Memli Krasniqi ka treguar që nuk e ka as nivelin minimal të sjelljeve, britmat e tij, sharjet e fyerjet janë diçka e padëgjuar për mua”, tha ajo.

Në një konferencë për media, Kusari-Lila tha se deputetët e PDK-së e kanë kërcënuar ministren Donika Gërvalla, e për këtë arsye sipas saj ka reaguar ministri Peci.

“Deputetët e PDK-së i intensifikuan fyerjet ndaj ministres e besa edhe kërcënimet e z. Pecit, është ngritur në këmbë për t’i ndalur se nuk mund të sillen ashtu me një grua. Z. Peci është ngritë në këmbë për t’i dalë në mbrojtje, pastaj sharjet kanë eskalu. Fatmirësisht nuk ndodhi përleshja, ka fillu kur është kriju turma dhe gjuha më e rëndë. Nuk e kam dëgju saktë çka ka thanë, po ka pasur fyerje. Unë i kam thënë deputetit Beqa të ndalet”, ka thënë ajo.

Kusari-Lila ka thënë se është për keqardhje qasja që sot synohet të ndërrohet e vërteta lidhur me atë se çfarë ka ndodhur në vitin 2015 lidhur me formimin e Gjykatës Speciale.

“Në veçanti, pastaj me eskalimin e gjuhës së deputetit Ardian Kastrati, nga vendi i Memlit Krasniqi dhe vetë shefi i Grupit Parlamentar, Abelard Tahiri. Qasja që sot synohet të ndërrohet e vërteta, ajo çfarë ka ndodhur në vitin 2015, kush e promovoi, e votoi dhe instaloi Gjykatën Speciale, dhe qysh sot perceptohet dhe si deklarohen po të njëjtit, është për keqardhje”, ka deklaruar Kusari-Lila.

“Historia nuk është aq e largët për t’iu kthyer të gjitha deklarimeve të krerëve dhe përfaqësuesve të PDK-së tek ata që ishin në kundërshti me Gjykatën Speciale. Sot të krijohet një kauzë e rreme nga e njëjta parti ndaj zyrtarëve të qeverisë dhe deputetëve është totalisht e papranueshme dhe duhet në çdo situatë të ardhme të ndërmerren masa, qofshin edhe përmes masave disiplinore dhe gjithashtu këto reflektime të jenë pjesë e Rregullores së re të Kuvendit. Kuvendi edhe më herët ka qenë arenë e dramave të mëhershme ku ka pasë raste ku deputetët e pozitës në koalicionin LDK-PDK kanë ofenduar, fyer dhe akuzuar krerët e PDK-së për vrasje dhe më pas kanë akuzuar bashkëqeverisjen. Tendenca që qeverisë t’i mveshen mëkatet që i kanë bërë dhe instaluar është e papranueshme”, u shpreh ajo. /Zëri