Osmani: Procesi i dialogut me Serbinë nuk duhet ndërlidhur me liberalizimin e vizave

Osmani: Procesi i dialogut me Serbinë nuk duhet ndërlidhur me liberalizimin e vizave

Aktuale May 06, 2021 - 12:50

Presidentja Osmani ka pritur sot në takim ministrin kroat për punë të Jashtme dhe Çështje Evropiane, Gordan Grliq Radman.

Në takim marrëdhëniet ndërmjet dy popujve dhe shteteve janë vlerësuar të shkëlqyeshme që nga periudha e viteve ’90 e deri më sot, ndërkohë që të dyja palët kanë shprehur gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit në aspektin bilateral dhe multilateral.

Osmani u njoftua se kërkesa e saj më 15 prill 2021 për një donacion simbolik të vaksinave kundër COVID-19 nga Kroacia ka marrë përgjigje pozitive, ndaj sot ministri Grliq Radman solli lajmin e mirë për donacion prej 10 mijë vaksinash për qytetarët e Kosovës.

Gjatë këtij takimi Osmani ka theksuar se procesi i dialogut me Serbinë nuk duhet ndërlidhur me liberalizimin e vizave, ngase sipas saj Kosova tashmë ka plotësuar kriteret për liberalizim vizash, pavarësisht se ka pasur dyfish kritere më shumë sesa vendet e tjera. Ajo po ashtu ka kërkuar mbështetjen kroate në këtë proces dhe ministri Grliq Radman rikonfirmoi mbështetjen e Kroacisë.

“Kosovës duhet t’i jepet liberalizimi i vizave menjëherë, sepse Kosova i ka plotësuar kriteret, ndërkaq BE-ja duhet ta mbajë premtimin e jo ta konsiderojë liberalizim si peng të proceseve të tjera”, ka theksuar Osmani, bëhet e ditur në njoftimin për media.

Më tej, Osmani ka thënë se Kosova dhe Kroacia kanë shumë çështje që i lidhin, ndaj në këtë kontekst ka përmendur numrin e përafërt të personave të zhdukur me dhunë nga regjimi serb gjatë luftërave të viteve ’90, duke shtruar nevojën për bashkëpunim konkret për zbardhjen e fatit të tyre.

“Ndërkaq ministri Radman ka potencuar se shteti i tij e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj evropiane, sikurse edhe në procesin e liberalizimit të vizave. Teksa presidentja e ka falënderuar ministrin Radman për ndihmën, duke u angazhuar që bashkëpunimi të shtrihet edhe në sferën e partneritetit strategjik, me theks të posaçëm në sferën e mbrojtjes”, thuhet në njoftimin për media. /Zëri