Vazhdon zbarkimi i trupave amerikanë në portin e Durrësit
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka postuar një video në Facebook-un e tij, ku tregon se vazhdon zbarkimi i trupave dhe mjeteve amerikane në kuadër të stërvitjes më të madhe ushtarake Defender21.
Zbarkimi i mjeteve po zhvillohet në portin e Durrësit dhe sipas ministrit Peleshi gjithçka është gati për të filluar stërvitjen e përbashkët.
Postimi i plotë:
"Nga porti i Durrësit ku vazhdon me ritëm zbarkimi i trupave dhe mjeteve amerikane. Gjithçka gati për të çelur stërvitjen e përbashkët më të madhe, të zhvilluar në Shqipëri, nga ushtria amerikane dhe forcat tona të armatosura në kuadër të NATO, Defender Europe 21.
#defendereurope21"
“Defender Europe 21” është një stërvitje e organizuar nga ushtria amerikane në Europë dhe Afrikë dhe parashikohet të marrin pjesë rreth 28 mijë trupa nga 26 vende aleate dhe partnere. Shqipëria do të jetë një nga 16 vendet që do të mirëpresin zhvillimin e kësaj stërvitjeje ushtarake, e cila ka për qëllim ndërveprimin e aleatëve dhe reagimin në raste krizash./oranews