Këto rregulla vlejnë për mërgimtarët që duan të vijnë për festat e fundvitit në Kosovë
Për shkak të pandemisë mërgimtarët që ia mësyjnë Kosovës për festat e fundvitit duhet të respektojnë rregullat anti-COVID, të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës.
Por rregullat mund të ndryshojnë nëse rastet rriten.
Kështu është paralajmëruar disa herë nga ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.
Sipas burimeve të "Zërit" brenda Bordit Këshilldhënës për Menaxhimin e Pandemisë, gjatë kësaj kohe lëvizja e lirë pritet të zgjatet deri në orën 22:00.
Këto janë masat e Qeverisë së Kosovës që kanë hyrë në fuqi më 13 nëntor 2020:
1. Të gjithë qytetarët e huaj të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës (RKS), e që vijnë nga vendet me risk të lartë, sipas listës zyrtare të ECDC-së, duhet të dëshmojnë nëpërmjet testit RT-PCR në Sars COV-2 që janë me rezultat negativ me COVID-19, në bazë të parimit të reciprocitetit, me përjashtimet si në vijim:
1.1. Gjatë hyrjes nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” nuk kanë nevojë të kenë vërtetim për test RT-PCR negativ, duke marrë parasysh që shtetasit e huaj vetëm do të kalojnë nëpër territorin e RKS-së, dhe me kusht që në hyrje do të nënshkruajnë një deklaratë që në afat prej 3 orësh do ta lëshojnë territorin e RKS-së;
1.2. Gjatë hyrjes në pikat kufitare tokësore, me qëllim të daljes nëpër pikat ajrore, nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” dhe pikat tokësore, nuk ka nevojë për vërtetim për test RT- PCR negativ, shtetasit e huaj janë të obliguar të paraqesin biletën e aeroplanit dhe të nënshkruajnë deklaratën që brenda 3 orësh do ta lëshojnë territorin e RKS-së;
1.3. Transportuesit profesionistë (vozitësit) nuk është e nevojshme të kenë vërtetim për testin PCR negativ, me kusht që të respektohet protokolli për transport ndërkombëtar;
1.4. Për transport të organizuar me autobus ose linjë të rregullt ndërkombëtare tranzite, nuk nevojitet testi RT-PCR negativ, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e RKS-së brenda 5 orësh;
1.5. Shtetasit e huaj të cilët e kanë të rregulluar leje qëndrimin e përkohshëm ose përhershëm në RKS, gjatë hyrjes në RKS duhet të paraqesin vërtetim për test RT-PCR negativ, të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në RKS;
1.6. Në rast të mos paraqitjes së dëshmisë së testit negativ, shtetasit e huaj obligohen të vetë -izolohen për 7 ditë;
1.7. Diplomatët e huaj në RKS si dhe familjarët e tyre, nuk është e nevojshme të kenë vërtetim për test RT-PCR negativ;
1.8. Shtetasit e huaj të cilët kanë caktuar termin për mjekim në institucione shëndetësore në RKS-së, mund të hyjnë nëse paraqesin vërtetim për test TR-PCR negativ, të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në RKS si dhe vërtetimin për termin të caktuar të lëshuar nga spitali;
1.9. Bartësit e dokumenteve personale të lëshuara nga RKS mirëpo me adresë vendbanimi në një shtet tjetër, gjatë hyrjes në RKS, duhet të paraqesin vërtetim për test RT-PCR negativ, të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në RKS ose të vetë-izolohen për 7 ditë në mungesë të testit RT-PCR.
2. Të gjitha institucionet publike dhe private obligohen të mbikëqyrin në baza ditore paraqitjen e stafit në punë në përputhje me “Manualin për mbrojte nga përhapja e COVID-19”, përfshirë matjen e detyrueshme të temperaturës për të gjithë gjatë hyrjes në objekte.
3. Procesi arsimor në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, publik dhe privat, organizohet në formën online, ndërsa provimet, puna praktike dhe laboratorike organizohen duke respektuar të gjitha rekomandimet e IKShPK-së dhe MSh-së.
4. Për ushtrim e veprimtarisë së çerdheve publike dhe private në tërë territorin e Republikës së Kosovës kërkohet vlerësimi dhe mbikëqyrja nga autoritetet komunale bazuar në “Manualin për mbrojte nga përhapja e COVID-19”, përfshirë matjen e temperaturës së fëmijëve dhe stafit në baza ditore gjatë hyrjes në objekte.
5. Obligohen ekipet teknike mjekësore të QKMF-ve (Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare), me mbështetjen e Policisë së Kosovës, të bëjnë kontrollin e udhëtarëve që hyjnë në pikat kufitare: Merdar, Vermicë, Kullë, Hani i Elezit, Jarinjë, Dheu i Bardhë dhe ANP “Adem Jashari”, përfshirë para se gjithash matjen e temperaturës.
6. Komunat obligohen të riaktivizojnë plotësisht shtabet e tyre emergjente komunale për parandalimin e pandemisë për të përcjellur situatën, mbikëqyrë zbatimin e masave, mbikëqyr situatën e të prekurve me COVID-19 dhe çështje të tjera, si dhe të koordinojnë punën e tyre me nivelin qendror përkatës.
7. Shtabet emergjente komunale për parandalimin e pandemisë, drejtoritë për shëndetësi dhe QKMF-të, obligohen të mbikëqyrin deri në dy javë ecurinë e shëndetit të personave të infektuar dhe do të raportojnë në baza ditore në QRSHP-IKSHPK për aktivitetet e ndërmarra dhe për situatën në terren.
8. Personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe gratë gjidhënëse lirohen nga paraqitja në punë, ndërkaq punëdhënësit udhëzohen, për aq sa është e mundshme, të krijojnë kushtet për angazhimin e tyre në punë nga shtëpia.
9. Personave mbi moshën 65 vjeç iu lejohet dalja jashtë shtëpisë gjatë orarit 6:00-10:00 dhe 16:00-19:00, ndërkaq jashtë këtij orari kanë të drejtë të dalin vetëm për nevoja emergjente dhe shëndetësore.
10. Obligohen komunat të ofrojnë shërbimet shëndetësore shtëpiake për të sëmurët kronikë.
11. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në përputhje me situatën e krijuar dhe sipas rekomandimeve të IKSHPK-së dhe MSH-së, udhëzohet të lirojë të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale që menaxhohen nga MPMS-ja nga paraqitja e rregullt në zyrat përkatëse për qëllime të evidentimit siç kërkohet me ligjet përkatëse.
12. Ndalohet grumbullimi i qytetarëve prej më shumë se 5 personave në sheshe publike, parqe dhe vende publike, me përjashtim rasteve të lejuara me këtë vendim.
13. Ndalohen të gjitha tubimet publike, përfshirë seminaret, punëtoritë, dasmat dhe ahengjet familjare, ceremonitë dhe veprimtaritë fetare (përveç familjes së ngushtë), si dhe çfarëdo forme tjetër e organizimit me përjashtim të rasteve të lejuara me këtë vendim.
14. Ndalohet veprimtaria e tregjeve publike të automjeteve dhe kafshëve në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
15. Lejohet therja e kafshëve vetëm në ambientet e autorizuara për këtë qëllim.
16. Obligohen të gjitha institucionet publike dhe private të mbajnë dezinfektues për duar dhe maska për fytyrë në vende të qasshme në hyrje të objektit, të cilat mund të shfrytëzohen nga punëtoret e institucioneve dhe vizitorët.
17. Obligohen të gjithë institucionet publike dhe private që në hyrje të çdo objekti të vendosin shenja të dukshme të rregullave për mënyrën e sjelljes për mbrojtje nga COVID-19 (përfshirë shenjën e ndalimit të hyrjes në objekt pa maska, obligimi për të respektuar distancën etj.) në përputhje me “Manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID-19”.
18. Obligohen përgjegjësit e institucioneve publike, ndërmarrjeve private dhe të çfarëdo subjekti tjetër, të ndërmarrin masa të rrepta për parandalimin e përhapjes së infeksionit brenda institucioneve të tyre, duke bërë dezinfektim të vazhdueshëm dhe duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në përputhje me “Manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID-19”.
19. Konviktet punojnë duke respektuar rekomandimet e IKSHPK-së, ndërsa mensa e studentëve punon vetëm në shërbimin “merr me vete”.
20. Lejohet ushtrimi i veprimtarive si në vijim (sipas kodeve NACE të përcaktuara nga ARBK – Ministria e Tregtisë dhe Industrisë) në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, pavarësisht kategorizimit të komunave sipas nivelit të rrezikut:
20.1. Sektori i shëndetësisë;
20.2. Sektori i sigurisë dhe drejtësisë;
20.3. Sektori publik (administratë qendrore dhe komunale);
20.4. Sektori i prodhimit;
20.5. Sektori i bujqësisë dhe blegtorisë;
20.6. Sektori i ndërtimit;
20.7. Transporti i mallrave;
20.8. Sektori i produkteve ushqimore;
20.9. Sektori i shërbimit/distribuimit.
Pjesa II: Masat specifike sipas komunave
21. Të gjitha komunat kategorizohen në tri grupe sipas shkallës së rrezikut nga përhapja e infeksionit:
21.1. Komunat me rrezik të ultë – deri në 75 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda një javë (kategorizohen me ngjyrë të gjelbër);
21.2. Komunat me rrezik të mesëm – nga 76-150 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda një javë (kategorizohen me ngjyrë të verdhë);
21.3. Komunat me rrezik të mesëm – mbi 150 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda një javë (kategorizohen me ngjyrë të kuqe).
22. Çdo javë, IKSHP-ja dhe MSH-ja publikojnë shifrat e të infektuarve sipas komunave dhe bëjnë kategorizimin e komunave sipas nivelit të rrezikut të përshkruar në pikën më lartë.
23. Masat në vijim vlejnë për komunat me rrezik të ulët të përhapjes së infeksionit (deri në 75 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda javës):
23.1. Operatorët ekonomik lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 20:00, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19”;
23.2. Transporti publik lejohet të punoj duke shfrytëzuar deri në 50% të kapaciteteve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19”;
23.3. Taksitë lejohen të punojnë me një (1) pasagjer prapa ose deri në tre (3) nëse janë anëtarë të familjes, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid19”;
23.4. Qendrat tregtare lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 20:00, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19”;
23.5. Veprimtaria e hotelerisë dhe gastronomisë ndalohet pas orës 20:00, përveç shërbimit “merr me vete” dhe “porosi me dërgesë”;
23.6. Lejohen pjesërisht aktivitetet kulturore të institucioneve vartëse të MKRS dhe komunave (teatrot, bibliotekat, filarmonia, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe dhe të ngjashme), duke shfrytëzuar vetëm 30% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitet (si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime), duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19”;
23.7. Lejohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura; stërvitjet dhe garat mund të organizohen në sportet individuale; gjatë stërvitjeve në hapësirat e mbyllura mund të marrin pjesë deri në 20 persona, ndërsa gjatë garave mund të marrin pjesë deri në 50 persona bazuar në protokolle dhe udhëzime vendore dhe ndërkombëtare sportive, si dhe duke u bazuar në “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19”;
23.8. Lejohen fitneset dhe pishinat e mbyllura për aktivitete individuale rekreative duke shfrytëzuar vetëm 40% të hapësirave/sipërfaqeve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19”.
24. Masat në vijim vlejnë për komunat me rrezik të mesëm të përhapjes së infeksionit (prej 76 deri në 150 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda javës):
24.1. Operatoret ekonomik lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 18:00, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”;
24.2. Shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në ora 18:00, ndërkaq pas orës 18 punojnë me shërbim “merr me vete” dhe “porosi me dërgesë”, gjithmonë duke e organizuar punën sipas “Manualit për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”;
24.3. Të gjitha institucionet publike dhe private reduktojnë stafin e tyre bazuar në specifikat që kanë dhe duke marrë parasysh udhëzimet e specifikuara për organizimin e punës në “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”;
24.4. Transporti publik lejohet të punojë me 50% të kapaciteteve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”;
24.5. Taksitë lejohen të punojnë me një (1) pasagjer prapa ose tre (3) nëse janë anëtarë të familjes, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”;
24.6. Qendrat tregtare lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 18:00, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19”;
24.7. Lejohen pjesërisht aktivitetet kulturore të institucioneve vartëse të MKRS dhe komunave (teatrot, bibliotekat, filarmonia, galeritë, ansambletë, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe dhe të ngjashme), duke shfrytëzuar vetëm 30% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitet (si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime), duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19”;
24.8. Lejohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura; stërvitjet dhe garat mund të organizohen në sportet individuale; gjatë stërvitjeve në hapësirat e mbyllura mund të marrin pjesë deri në 20 persona, ndërsa gjatë garave mund të marrin pjesë deri ne 50 persona bazuar në protokolle dhe udhëzime vendore dhe ndërkombëtare sportive, si dhe duke u bazuar në “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19”;
24.9. Lejohen fitneset dhe pishinat e mbyllura për aktivitete individuale rekreative duke shfrytëzuar vetëm 40% të hapësirave/sipërfaqeve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19”.
25. Masat në vijim vlejnë për komunat me rrezik të lartë të përhapjes së infeksionit (mbi 150 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda javës:
25.1. Ndalohet lëvizja e qytetarëve jashtë shtëpive/banesave të tyre pas orës 19:00 e deri në orën 05:00, përveç për nevoja emergjente dhe shëndetësore, duke përjashtuar nga kjo masë personelit shëndetësor, të sigurisë, drejtësisë dhe të ngjashme;
25.2. Ndalohen hyrje-daljet e qytetarëve dhe automjeteve në territorin e komunës përkatëse nga ora 19:00 deri në orën 05:00, përveç:
25.2.1. Personelit shëndetësor, personelit të sigurisë, drejtësisë dhe studentëve;
25.2.2. Qytetarëve për nevoja emergjente;
25.2.3. Operatorëve që kryejnë punë publike;
25.3. Ndalohet veprimtaria e gastronomisë nga ora 19:00 deri në orën 05:00;
25.4. Institucionet publike dhe private punojnë vetëm me stafin esencial, i cili staf përcaktohet me vendim të secilit institucion në veçanti;
25.5. Transporti publik lejohet të punojë me 50% të kapaciteteve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”;
25.6. Taksitë lejohen të punojnë me vetëm një (1) pasagjer prapa ose tre (3) nëse janë anëtarë të familjes;
25.7. Lejohen pjesërisht aktivitetet kulturore të institucioneve vartëse të MKRS dhe komunave (teatrot, bibliotekat, filarmonia, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe dhe të ngjashme), duke shfrytëzuar vetëm 30% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitet (si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime), duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19”;
25.8. Lejohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura; stërvitjet dhe garat mund të organizohen në sportet individuale; gjatë stërvitjeve në hapësirat e mbyllura mund të marrin pjesë deri në 20 persona, ndërsa gjatë garave mund të marrin pjesë deri në 50 persona bazuar në protokolle dhe udhëzime vendore dhe ndërkombëtare sportive, si dhe duke u bazuar në “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19”;
25.9. Lejohen fitneset dhe pishinat e mbyllura për aktivitete individuale rekreative duke shfrytëzuar vetëm 40% të hapësirave/sipërfaqeve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19”.
Pjesa III: Obligimet e institucioneve për zbatimin e masave
26. Obligohet Ministri i Shëndetësisë që, bazuar në Ligjin Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës, të nxjerrë vendime operacionale varësisht prej situatës epidemiologjike dhe rekomandimeve të IKSHP-së.
27. Obligohet Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse të mbikëqyrin zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në zbatimit të Ligjit Nr.07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës.
28. Për shkelësit e masave, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore sipas Ligjit Nr. 07/l-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës.
29. Ky vendim do të vlerësohet pas dy jave, varësisht nga situata epidemiologjike në vend, dhe vlen deri në një vendim tjetër.
30. Shfuqizohet Vendimi i Qeverisë Nr.01/39 i datës 01.11.2020.
31. Vendimi hyn në fuqi të premten, datë 13.11.2020, në orën 18:00.