Ambasadori britanik Nicholas Abbot: Do t’i përkrahim me tabletë fëmijët me nevoja të veçanta

Ambasadori britanik Nicholas Abbot: Do t’i përkrahim me tabletë fëmijët me nevoja të veçanta

Aktuale December 03, 2020 - 12:06

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, bashkë me ambasadorin britanik Nicholas Abbott dhe ministrin e Arsimit Ramë Likajn kanë nënshkruar panon e zotimit për gjithëpërfshirje në Ditën Ndërkombëtare për Personat me Nevoja të Veçanta.

Osmani ka kërkuar që personat me nevoja të veçanta të jenë pjesë e proceseve.

“Të gjithë në Kosovë do të kenë një jetë më të mirë kur të kemi hapësira gjithëpërfshirëse dhe politika gjithëpërfshirëse për të gjithë personat me nevoja të veçanta”, ka thënë ajo.

Po ashtu Osmani ka thënë se për personat me nevoja të veçanta në Kosovë është bërë shumë pak.

“Të gjithë e në veçanti fëmijët me nevoja të veçanta të kenë qasje në shkolla, të mundë t’i ushtrojnë të gjithë detyrat e tyre dhe t’u plotësohen të gjitha nevojat që ata i kanë çdo ditë”, theksoi ajo.

Sipas saj, Kosova ka bërë shumë pak për këtë personat dhe një numër i madh i tyre nuk mund të shkojnë në shkolla, rrugët tona në Prishtinë dhe çdo vend të jenë të qasshme për personat që janë në karrocë.

Ambasadori britanik Nicholas Abbot ka thënë se do të përkrahen këta fëmijë me tabletë për nevojat e tyre.

“Ne do t’i përkrahim me tabletë fëmijët me nevoja të veçanta dhe me mësues e asistentë. Ky grup ka qenë më i prekuri nga pandemia”, tha ai.

Edhe Murat Sahin, nga UNICEF-i, ka thënë se këta fëmijë nuk do të mbeten pa mbështetje. /Zëri