Osmani: Rimëkëmbja ekonomike t’i përfshijë edhe personat me aftësi të kufizuara

Osmani: Rimëkëmbja ekonomike t’i përfshijë edhe personat me aftësi të kufizuara

Aktuale December 03, 2020 - 10:51

Ka filluar seanca e Kuvendit të Kosovës, ku po mbahet debat parlamentar për gjendjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.

Në foltoren e Kuvendit kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka nisur fjalimin e saj për personat me aftësi të kufizuara, duke akuzuar institucionet dhe shoqërinë në përgjithësi se nuk ka bërë asgjë për këtë kategori.

Ajo tha se duhet përfundimisht të ndërrohet perspektiva që shoqëria ka mbi personat me aftësi të kufizuara.

“Duhet përfundimisht ta ndërrojmë perspektivën që ka shoqëria mbi personat me nevoja të veçanta, le të mos e shohim si kufizim, përkundrazi - potencial e mundësi që ata ofrojnë për t’i bërë gjerat ndryshe e shumë më mirë sesa që i kemi bërë deri sot”, tha ajo.

Ndërsa kryeparlamentarja ka theksuar se institucionet dhe shoqëria nuk kanë bërë asgjë për personat me nevoja të veçanta.

“Të jemi bashkëpunues në punë ekipore, të mendojmë përtej zgjidhjeve të përditshme e në një botë ku çdo ditë duhet të luftosh për të bërë zgjidhje vetë, ngaqë institucionet dhe shoqëria nuk kanë bërë asgjë për ta, për t’ua bërë më lehtë jetën personave me aftësi të kufizuara e që janë një aset i çmueshëm”, tha Osmani.

Osmani ka deklaruar se rimëkëmbja duhet të jetë gjithëpërfshirëse duke përmendur edhe personat me aftësi të kufizuara.

“Le të sigurohemi që rimëkëmbja të jetë gjithë përfshirëse, e qasshme për të gjithë dhe e qëndrueshme. Sot nuk po flasim as për kampionë të veçantë e as për viktima, po flasim për të gjithë ne, për secilin qytetar tonë, për ata të cilët e meritojnë dhe për ata që e kemi obligim kushtetues e moral për t’u garantuar vend, mundësi të barabarta për të gjithë”, përfundoi Osmani. /Zëri