Selmanaj përmend shtatë arsye pse Haradinaj duhet të bëhet president

Selmanaj përmend shtatë arsye pse Haradinaj duhet të bëhet president

Aktuale December 03, 2020 - 10:10

Deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj, ka përmendur shtatë arsye pse kreu i partisë së tij, Ramush Haradinaj, duhet të bëhet president i vendit.

Në mesin e disa përparësive që Selmanaj ka rreshtuar përmendet edhe fakti që sipas tij Haradinaj për dy dekada është atakuar nga propaganda serbe, transmeton “Zeri.info”.

Shkrimi i plotë i Selmanajt:

Shtatë premisa pse Haradinaj duhet të bëhet president:

Premisa e parë, dialogut me Serbinë i duhet një president, së këndejmi edhe kryenegociator, i cili ka identitet jo vetëm politik.

Premisa e dytë, që Haradinaj ka një të kaluar jo vetëm politike është garanci e madhe për një zgjidhje të përhershme, jo të dhimbshme për Kosovën.

Premisa e tretë, prej nga duhet reflektuar për presidentin e radhës, është fakti që Haradinaj për dy dekada është atakuar nga propaganda serbe, me qëllim që ta bëjë skenën politike të Kosovës me përfaqësues "më të mundur" dhe më të lehtë për dialog.

Premisa tjetër, e katërta, zgjedhja e Haradinajt rezulton me predominim psikologjik në dialog me Serbinë, faktor shumë i rëndësishëm në një dialog me një histori të vështirë.

Premisa e pestë është ajo diplomatike.

Vetë përfaqësimi në dialog dhe pranimi nga bashkësia ndërkombëtare i Haradinajt si president e kryenegociator i bën temat më të qarta për çfarë mund të negociohet e çfarë jo.

Premisa e gjashtë, nëse Kosova do të përfaqësohej nën këtë nivel, domosdoshmërisht bashkësia ndërkombëtare ul pritshëmeritë për palën tonë dhe me propagandën serbe në anën tjetër, Kosova mund të rrëshqasë në dialog teknik, dialog ky që prodhon nëntema në dëm të Kosovës, mbase edhe pa zgjidhje fare.

Premisa e shtatë, me Haradinajn në krye, nëse vërtet kërkohet zgjidhje, ajo bindshëm është më e pranueshme për ne, për aleatët tanë, njëkohësisht shuan ambiciet e diplomacisë serbe për të mbajtur "peng politik" Kosovën.