Hoti kritikohet për shkeljen e masave anti-COVID në fushatën në Podujevë

Hoti kritikohet për shkeljen e masave anti-COVID në fushatën në Podujevë

Aktuale November 23, 2020 - 22:35

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti me disa bashkëpuntorë të LDK-së, ka nisur sot zyrtarisht fushatën për zgjedhjet që do të mbahen këtë të diele në Komunën e Podujevës.

Hoti gjatë ditës ka vizituar Podujevën, ku i ka dhënë mbështetje kandidatit të partisë së tij, Nexhmi Rudarit, por në këtë takim ai po kritikohet se nuk ka respektuar masat anti-COVID, për çka qytetarët e thjeshtë po gjobiten çdo ditë, transmeton Zeri.info.

Ka qenë Ehat Miftaraj nga KDI, ai i cili ja ka numruar Hotit masat që ka shkelur sot në fushatën në Podujevë.

Shkrimi i plotë i Miftarajt:

Kur ligjin e bon Maliqi! Masat e Qeverisë Hoti ende janë në fuqi lidhur me parandalimin e Pandemisë COVID-19. Por këto vlejnë vetëm për qytetarët e thjeshtë të cilët në baza ditore dënohen nga Policia dhe agjencitë që e zbatojnë ligjin.

Këto masa nuk vlejnë për Kryeministrin Hoti, Ministrin Veliu dhe qeveritarët në pushtet. Këta janë mbi ligjin.

Qe disa foto që e vërtetojnë se si Hoti dhe Veliu janë mbi ligjin dhe shkelin masat më poshtë që janë në fuqi.

Marre, marre, marre.

P.S. Normal që i shkarkojnë drejtorat në Polici, ATK dhe Doganë. I caktojnë militantët në këto pozita që janë lojal ndaj shefit dhe jo ndaj ligjit.

Disa nga masat në fuqi që janë shkel sot në fushatën në Podujevë.

12. Ndalohet grumbullimi i qytetarëve prej më shumë se 5 personave në sheshe publike, parqe dhe vende publike, me përjashtim rasteve të lejuara me këtë vendim.

13. Ndalohen të gjitha tubimet publike, përfshirë seminaret, punëtoritë, dasmat dhe ahengjet familjare, ceremonitë dhe veprimtaritë fetare (përveç familjes së ngushtë), si dhe çfarëdo forme tjetër e organizimit me përjashtim të rasteve të lejuara me këtë vendim.

27. Obligohet Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse të mbikëqyrin zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në zbatimit të Ligjit Nr.07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës.

28. Për shkelësit e masave, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore sipas Ligjit Nr. 07/l-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës.