Nga varreza në Serbi deri te vendi i krimit të luftës në Kosovë

Nga varreza në Serbi deri te vendi i krimit të luftës në Kosovë

Aktuale November 23, 2020 - 18:15

Gurorja “Kizhevak“ në Komunën e Rashkës, në afërsi të kufirit me Kosovën, është lokacioni i pestë në Serbi, në të cilin janë gjetur mbetjet mortore, siç dyshohet, të civilëve shqiptarë të vrarë gatë luftës në Kosovë, në vitin 1999.

Ende nuk dihet se sa është numri i trupave që janë gjetur në këtë vend, më 16 nëntor. Dy ditë më vonë, Gjykata e Lartë në Beograd ka lëshuar një urdhër për zhvarrosjen e tyre. Se kur do të fillojë zhvarrimi "do të përcaktohet më vonë", i është thënë Radios Evropa e Lirë nga kjo gjykatë.

Që nga viti 2001 e deri më sot, në territorin e Serbisë, në 4 lokacione janë gjetur varreza masive me 941 trupa të shqiptarëve të vrarë në Kosovë.

Sipas të dhënave të Zyrës për pesona të zhdukur të UNMIK-ut, në Batajnicë, në afërsi të Beogradit, në vitin 2001 janë zbuluar 744 trupa. Të njëjtin vit, në Petrovo Selo, në Serbinë Lindore, janë gjetur 61 trupa. Në liqenin Peruqac, në vitin 2001, është zbuluar varrezë masive me 84 trupa.

Për herë të fundit, varrezë masive është zbuluar në vitin 2013, në Rudnicë, në jugperëndim të Serbisë, në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Jarinë. Aty janë gjetur mbetjet mortore të 52 personave.

Ku gjendet lokacioni i ri?

Gurorja "Kizhevak" në Rashkë, në pjesën jugperëndimore të Serbisë, është disa kilometra në veri të Rudnicës dhe vendit, në të cilin para shtatë vjetësh është gjetur varreza masive me trupat e civilëve shqiptarë.

Mbetetjet mortore në lokacionin e ri, më 16 nëntor i kanë gjetur ekspertët e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe Komisionit të Qeverisë së Serbisë për personat e zhdukur.

Më 20 nëntor, EULEX-i tha që ekspertët e tij kishin gërmuar në Kizhevak që nga viti 2015 dhe se përparimin e kishin bërë falë pamjeve nga ajri.

"Problemi ishte në atë se bëhet fjalë për një gurore të madhe dhe se peizazhi ndryshoi me kalimin e kohës për shkak të faktit se gurorja ishte akoma duke u përdorur përgjatë shumë viteve", tha Javier Santana, arkeolog mjeko-ligjor në EULEX.

Gurorja "Kizhevak" u privatizua pas vitit 2007. Në maj të vitit 2020, kompania gjeologjike "Tethian" nga Kanadaja, e bleu të drejtën e shfrytëzimit të vendit të dikurshëm të minierave të argjendit, zinkut dhe plumbit, nga kompania serbe "EFPP".

Nga EULEX-i kanë deklaruar që procesi i përcaktimit të vendndodhjes së saktë ishte shumë i ndërlikuar, sepse në minierë ekzistojnë katër deri pesë nivele, me një lartësi të përafërt prej 13 metrash secila.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KETU