Hotelet në Kosovë, të gatshme për t’u kthyer në spitale për COVID

Aktuale November 16, 2020 - 10:49
Image

Zyrtarë nga Komuna e Prishtinës kanë paralajmëruar se hotelet e kryeqytetit mund të shndërrohen në spitale për pacientët me COVID-19.

Nënkryetari i Prishtinës, Muhedin Nushi, në një intervistë për media ka thënë se numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovës do të vazhdojë të rritet ditëve në vazhdim, duke shtuar se niveli qeveritar dhe ai komunal duhet të bëjnë përzgjedhjen e hoteleve ose të vendeve të tjera, ku do të mundë të shtroheshin personat e infektuar.

Nga shoqata e hoteliereve të Kosovë “Pro In” kanë thënë për “Zërin” se deri tani nuk janë kontaktuar nga ndonjë institucion për idenë që bizneset e tyre të kthen në spitale.

Visar Demolli, nga kjo shoqatë, ka thënë se ka vullnet pozitiv që të bashkëpunojnë me institucionet për këtë ide.

“Për momentin ende nuk kemi kontakt nga institucionet, kjo është vetëm si ide. Ka vullnet pozitiv për të bashkëpunuar”, ka thënë Demolli për “Zeri.info”.

Komuna e Prishtinës ka numrin më të madh të rasteve me COVID-19 në nivel të Kosovës. /Zëri