Infektuar: 38431
Shëruar: 23754
Vdekur: 989
Shkolla më e vjetër e muzikës në Kosovë nuk dihet kur do të bëhet me objekt të ri

Shkolla më e vjetër e muzikës në Kosovë nuk dihet kur do të bëhet me objekt të ri

Aktuale October 21, 2020 - 15:05

Autore: Edona Sadikaj

Shkolla e mesme e muzikës “Lorenc Antoni” në Prizren tash e shumë kohë është në nevojë për një objekt të ri e me hapësirë më të madhe. Kjo është edhe shkolla e parë e muzikës në Kosovë, që është ndërtuar në vitin 1948. Edhe pse janë bërë renovime të ndryshme, si shtrimi i laminatit e ndërrimi i dritareve, shihet se objekti ende nuk i plotëson kushtet për mbarëvajtjen e mësimit.

Një nxënëse e kësaj shkolle thotë që edhe pse numri i nxënësve nuk ishte i madh, ata detyroheshin të ndaheshin në dy grupe dhe të pritnin të përfundonte ora për të mbajtur orën grupi tjetër.

“Sfida më e madhe është për nxënësit që udhëtojnë, ata detyrohen të rrinë në shkollë prej orës 8:00 të mëngjesit deri në orën 18:00, sepse nëse kanë orë shtesë detyrohen të presin”, thotë nxënësja me inicialet E.S.

Objekti i ri është në ndërtim e sipër që nga 2019-a me lokacion të ri në Bazhdarhane, konkretisht te KFOR-i gjerman. Kontrata për përfundimin e ndërtimit të saj është 3-vjeçare, mirëpo drejtori kësaj shkolle, Vesel Krasniqi, nuk tregoi saktë se kur do të përfundojë. Ai thotë se këtë objekt e financon Ministria e Arsimit me buxhet rreth 700 mijë euro.

Image

Drejtori i shkollës, Vesel Krasniqi

“Ndërtimi i objektit të ri shkollor është i domosdoshëm, hapësira aktuale nuk i plotëson kushtet sipas kërkesave të nxënësve dhe të mësimdhënësve të shkollës. Aktualisht në këtë shkollë janë tri objekte shkollore, ku është Shkolla e Mesme, Shkolla e Ulët dhe Shkolla e Baletit”, thotë Krasniqi.

Për momentin janë 580 nxënës dhe Krasniqi shprehet se është e pamundur të plotësohen të gjitha kërkesat e nxënësve, që janë të interesuar të vazhdojnë shkollën e muzikës, qoftë atë të ulët ose të mesme.

“Objekti i ri shkollor mundëson që të interesuarit të kenë mundësi të regjistrohen, pa dyshim me rritjen e nxënësve domosdoshmërisht shtohet edhe numri i mësimdhënësve”, shprehet ai.

Përveç kabineteve dhe klasave, objekti i ri shkollor planifikohet të ketë edhe sallën koncertale, ku do të mbahen koncerte të ndryshme kulturore.

“Me objektin e ri shkollor, përveç kabineteve muzikore dhe klasave të mësimit, është e paraparë të ndërtohet edhe një sallë koncertale, ku ajo sallë do të jetë për dashamirët e muzikës me kushte shumë të mira, ku do bëhet prezantimi i nxënësve me instrumente, me këndim dhe mbajtja e koncerteve të ndryshme, andaj ndërtimi i shkollës së muzikës është i domosdoshëm dhe shpresoj të përfundojë siç thuhet në kontratë, në periudhë 3-vjeçare”, tha Krasniqi.

Image

Lirije Kukaj, arsimtare e flautit në këtë shkollë, tha se ajo dhe mësimdhënësit e tjerë kanë pasur vështirësi për shkak të klasave të pakta e nxënësve të shumtë. Ajo shprehet se objekti i ri është i mirëpritur sidomos për sallën koncertale.

“Edhe pse ne kemi sallën koncertale, por kur mbahen koncerte të ndryshme nuk kemi ulëse të mjaftueshme ndaj publikut dhe kemi pengesë në hyrje-dalje për shkak se objekti është i vogël. Kjo sallë që do të ndërtohet do të ishte edhe më e përshtatshme me akustikë më të mirë dhe do ishte sallë koncertale ashtu si duhet”, tha Kukaj për “Zërin”.

Image

Nga kompania ndërtimore e objektit shkollor i thanë “Zërit” se punimet janë ndërprerë si pasojë e pandemisë.

“Ne kemi ndërprerë punën për shkak të virusit dhe ende nuk kemi marrë leje të fillojmë, mirëpo shpresoj që deri në vitin 2021-2022 të perfundohet shkolla, duke marrë parasysh pushimin që është bërë”, thanë për “Zërin” nga kompania.

Dy studime të reja nga Instituti i Trurit dhe Krijimtarisë në USC tregojnë se në më pak se dy vjet mësimi muzikor sjell përfitime të shumta. Trajnimi muzikor mund të ndryshojë si strukturën e materies së bardhë të trurit, e cila mbart sinjale përmes trurit, ashtu edhe atë gri, që përmban shumicën e neuroneve të trurit, të cilat janë aktive në përpunimin e informacionit.

Sipas “Kaufman Music Center”, instruksioni muzikor gjithashtu rrit angazhimin e rrjeteve të trurit, që janë përgjegjëse për vendimmarrjen dhe aftësinë për të përqendruar vëmendjen dhe për të frenuar impulset. /Zëri