Hoti flet për shkarkimet në Polici, ATK e Doganë
Foto: Laura Hasani

Hoti flet për shkarkimet në Polici, ATK e Doganë

Aktuale October 21, 2020 - 10:16

Kryeministri Avdullah Hoti, në një konferencë për media, tha se e mori qeverisjen në situatën më të vështirë në 20 vjetët e fundit si pasojë e pandemisë COVID-19, raporton “Zëri”.

“E kemi marrë qeverisjen në një situatë shumë të vështirë, më e vështira në 20 vjetët e fundit, me problemet ekonomike si rezultat i pandemisë”, tha Hoti.

Ai shtoi se gjatë mandatit të tij janë evidentuar dy shkelje të Kushtetutës.

“Janë evidentuar dy shkelje të Kushtetutës për vetëm 50 ditë, na është dashur punë e madhe që ta heqim izolimin e Kosovës në një seri të marrëveshjeve, që i kemi nënshkruar e jemi duke i zbatuar”, potencoi ai, raporton “Zeri.info”.

Për menaxhimin e pandemisë Hoti thotë se Kosova është shembull.

“Gjatë kësaj periudhe kemi menaxhuar mirë pandeminë, Kosova njihet shembull për menaxhim të situatës, plani i rimëkëmbjes ekonomike është ndër më të mirët që qytetarët ta kalojnë këtë pandemi”.

Kryeministri Hoti foli edhe për shfuqizimin e Departamentit Special Antikorrupsion në kuadër të Policisë së Kosovës.

Shuarjen e kësaj Task-Force Hoti tha ta ketë bërë për shkak se ishte antikushtetuese.

“Ka qenë antikushtetues. Pushtetet janë të ndara. Përmes këtij vendimi brenda PK-së janë krijuar struktura joligjore, jo në përputhje me ligjin. Ju garantoj që ne do ta kthejmë ligjshmërinë. Unë ju garantoj që jemi të vendosur të kthejmë ligjshmërinë. Më lejoni të them që nuk keni parë gjë akoma sa u përket vendimeve për kthim të ligjshmërisë”, theksoi Hoti.

Ndër të tjera, Hoti foli edhe për shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, duke thënë se këtë veprim e ndërmori për shkak të paraqitjes jo të kënaqshme të tij.

“Vendimi i tretë që kemi marrë të premten në Polici në bazë të raportit të performancës nga ministri i Punëve të Brendshme (Agim Veliu), e kam liruar nga detyra (drejtorin Rashit Qalaj). Raporti i performancës i ministrit ka treguar për të përformancë jo të kënaqshme”, tha Hoti në konferencën për shtyp.

Hoti ka theksuar se Qalaj punoi në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

“Ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë në kundërshtim me legjislacionin e ka ndryshuar organogramin e Policisë së Kosovës pa e kaluar fare në procedura e të njëjtin nuk e ka publikuar asnjëherë, duke e mbajtur të fshehtë nga ministri e qytetarët”, tha ai.

Gjithashtu kreu i ekzekutivit foli edhe shkarkimin e drejtorit të Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj.

“[Murtezaj] ka miratuar rregulloren për organizimin e brendshëm të ATK-së në kundërshtim me ligjin përkatës. Ka shpallur konkurs për vende të reja pune dhe nuk ka sistemuar ish-zëvendësit e tij, që i ka konsideruar tepricë. Ka bërë lëvizjen e shpejtë të stafit. Të gjitha shkeljet janë konstatuar me vendimin e avokatit të Popullit. Për të gjitha këto arsye ne është dashur që të marrim këtë vendim”, theksoi Hoti.

Po ashtu kryeministri ka shkarkuar nga detyra e ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Doganës së Kosovës edhe Ibrahim Xhakën. Në vend të tij e ka emëruar Bajram Rexhën. /Zëri