Infektuar: 17139
Shëruar: 14787
Vdekur: 657
Osmani kërkon kujdes të shtuar për mbrojtjen nga COVID-19

Osmani kërkon kujdes të shtuar për mbrojtjen nga COVID-19

Aktuale October 17, 2020 - 22:55

Numri i rasteve të reja me COVID-19, në vendin tonë, ditëve të fundit ka shënuar rritje të dukshme.

Tre apo katër fishimi i shifrave ditore të të infektuarve me koronavirus ka ngjallur shqetësim për një situatë “serioze” në ditët në vazhdim.

Për kujdes të shtuar ndaj virusit ka shkruar kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani, përmes një postimi në “Facebook”, ka kërkuar nga qytetarët e vendit që të respektojnë masat anti-koronavirus që të mbrojnë vetën dhe të tjerët rreth tyre.

“Beteja jonë me COVID-19 nuk ka përfunduar dhe këta muaj rritet rreziku siç po dëshmohet me rritjen e numrave të të infektuarve. Por, siç kam theksuar gjithmonë, prapa secilit nga këta numra qëndron një histori, një familje, dhimbje e frikë, përballje me shumë sfida. Prandaj, kujdesi ynë ndaj shëndetit tani është edhe më i rëndësishëm. Dhimbja jonë mund të rritet ditë pas dite, ashtu siç po rriten numrat, në qoftë se nuk tregojmë kujdes të shtuar.

Pra, ta mbajmë maskën, higjienën e distancën fizike edhe atëherë kur ndihemi të lodhur nga e gjithë kjo që po ndodhë, e edhe atëherë kur na mungojnë përqafimet e më të dashurve.

COVID-19 është kudo përreth nesh. Kemi nevojë të mobilizohemi me një zë që ta zvogëlojmë dhimbjen, t'i zvogëlojmë vuajtjet dhe ta rrisim shpresën”, shkruan Osmani në postimin e saj./Zëri