Përkujtohet zyrtari i vrarë doganor i EULEX-it

Përkujtohet zyrtari i vrarë doganor i EULEX-it

Aktuale September 19, 2020 - 16:55

19 shtatori është datë tragjike për Misionin e BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX). Më këtë datë shtatë vite më parë, zyrtari doganor i EULEX-it Audrius Šenaviëius ishte qëlluar për vdekje nga persona të panjohur në pjesën veriore të Kosovës gjersa kishte qenë duke udhëtuar me veturë për në punë. Autorët e asaj vrasje ende nuk janë identifikuar.

Në nderë të kujtimit për të, shefi i misionit EULEX, Lars-Gunnar Wigemark, zëvendësdrejtori i përgjithshëm për burime në Policinë e Kosovës, Dejan Jankovic, dhe zëvendëskryetari i Zveçanit, Nenad Popovië vizituan sot vendin ku Audriusit i ishte marrë jeta dhe vendosën një kurorë tek përmendorja e tij.

“Sot ne qëndrojmë këtu në vendin ku kolegu ynë Audrius Šenaviëius nga Lituania ishte vrarë para plot shtatë viteve”, tha Wigemark.

Ai tha se ky krim ende nuk është zbardhur përkundër hetimeve të gjata, fillimisht nga vet EULEX-i, vrasja vazhdon të mbetet e pazgjidhur.

“Kur EULEX-i përfundoi mandatin e tij ekzekutiv në sektorin e drejtësisë në vitin 2018, lënda e këtij rasti të vrasjes është dorëzuar tek autoritetet prokuroriale të Kosovës. Ato tani janë duke e ndjekur rastin por ende pa rezultate. Kjo është arsyeja se përse sot unë i bëj thirrje çdo personi që ka informata rreth këtij rasti, çdo personi që di ndonjë gjë për atë se çka ka ndodhur këtu shtatë vite më parë, që të del përpara dhe të shpjegojë atë që ka ndodhur. Anonimiteti juaj do të jetë i garantuar. Për informata që do të shpijnë në zgjidhjen e rastit po ashtu do të jepet edhe shpërblim financiar i konsiderueshëm. Por kjo nuk ka të bëjë me para, kjo ka të bëjë me drejtësi dhe një shembull tjetër i mosndëshkueshmërisë. Drejtësia nevojitet për familjen e viktimës, për të gjithë këtu në Kosovë, për rajonin, si dhe për Bashkimin Evropian.", citohet ai në komunikatën për media të EULEX-it.

Gjatë ceremonisë për vendosjen e kurorës, zëvendësdrejtori i përgjithshëm për burime në Policinë e Kosovës, Dejan Jankovië, tha se ndjejnë respekt për kolegun Audrius, si për secilin pjesëtar të Policisë së Kosovës që ka humbur jetën e vet duke i shërbyer popullit të Kosovës.

“Të veshur me uniformë policie, ne jemi të vetëdijshëm për rreziqet nëpër të cilat kalojmë, sepse është nder që t'i shërbejmë popullit, por humbja e jetës së një kolegu i cili erdhi nga Lituania për të na ndihmuar ne këtu në Kosovë është edhe më e rëndë. Ne, zyrtarët e Policisë së Kosovës do të jemi përjetësisht mirënjohës për mbështetjen e tij, si dhe për sakrificën që e bëri ai, e ajo ishte jeta e tij.” Ai më tej shtoi: “Andaj, ne e kemi një përgjegjësi edhe më të madhe për të bërë çdo përpjekje për gjetjen e autorëve të këtij krimi dhe t’i sjellim ata para drejtësisë.”, tha ai.

EULEX-i i bën thirrje çdo personi që mund të ketë informata të cilat mund t’i dalin në ndihmë policisë që të paraqitet. Misioni ofron një shpërblim prej 82.000 euro për informata që shpijnë në arrestimin dhe dënimin e autorit (autorëve) të kësaj vrasje. Për detaje rreth raportimit të ndonjë informate lidhur me vrasjen e Audrius, ju lutem të kontaktoni +383 38 284 181 ose të vizitoni faqen tonë të internetit: https://www.eulex-kosovo.eu/?page=1,57