Beqaj: Pjesëmarrja e Trumpit në bisedimet Kosovë-Serbi sjellë marrëveshje

Beqaj: Pjesëmarrja e Trumpit në bisedimet Kosovë-Serbi sjellë marrëveshje

Aktuale August 28, 2020 - 13:34
Image

Një javë para takimit të paralajmëruar në Washington, pala kosovare beson në arritjen e një marrëveshjeje finale pa u cenuar territori i vendit.

Në Washington, ka mundësi që të arrihet një marrëveshje e rëndësishme.

Njohësi i çështjeve politike, Belul Beqaj në një prononcim për “Zërin”, thotë se kjo mund të ndodh vetëm nëse në takim merr pjesë edhe presidenti amerikan Donald Trump.

“Nëse në takimin e Shtatorit do të jetë i pranishëm edhe presidenti Trump, siç po spekulohet, atëherë mund të kemi ndonjë marrëveshje të rëndësishme, por jo të njohjes reciproke”, ka thënë Beqaj.

Nëse takimi zhvillohet pa presidentin Trump, ai shpjegon se administrata Trumpi është pajtuar të rishikoj qëllimin fillestar për njohjen reciproke, por do dëshmoj se mbetet aktive në zgjidhjen e këtij problemi duke u marrë me çështje ekonomike jo statusore.

Beqaj thotë se një marrëveshje e madhe mund të ndodhë vetëm nëse pala kosovare pajtohet që përmbajtja kryesore e marrëveshjes të jetë element territorial me të cilin në mënyrë implicite është pajtuar paraprakisht Serbia dhe Rusia.

Siç shprehet Beqaj, kjo mund të ndodhë, por jo pa u krijuar rrethanat kryesore të cilat mund të riaktivizohen në të ardhmen.

Sa i përket qëndrimit të Kosovës në takimet me Serbinë, ai thekson se qëndrimi kryesor do të nënkuptoj përmbushjen e obligimeve që i ka trashëguar Kosova nga procesi i deritanishëm, veçmas asociacionin.

LEXO EDHE: Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është tepër larg

Sipas njohësit të çështjeve politike Beqaj, çdo kompromis do të shkaktoj dëme funksionale dhe afatgjate .

Ai më tutje thotë se Kosova duhet të koncentrohet në implementimin e asociacionit si zgjidhje e cila aktualisht, sipas tij mund të kapërdihet pa kompetenca ekzekutive.

“Nëse Kosova bënë lëshime serioze në këtë proces, kjo zgjidhje do të rritë apetitet Serbisë për të arritur një status tjetër. Nëse bëjmë lëshime serioze në këtë proces edhe kjo zgjidhje do të rritë apetitet e komunitetit serb për të arritur një status tjetër duke mos përjashtuar edhe referendumin për autonomi e pastaj edhe për shkëputje”, thotë Beqaj.

Beqaj thotë se marrëveshja finale mund të jetë e qëndrueshme vetëm nëse pajtohet Brukseli dhe Washingtoni, ndërsa çdo marrëveshje e njëanshme, sipas tij nuk do të jetë finale./Zëri