Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është tepër larg

Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është tepër larg

Aktuale August 27, 2020 - 10:22
Image

Një javë para takimit të paralajmëruar në Washington, sot në nivel ekspertësh pritet të takohen Kosova dhe Serbia në Bruksel, takim ky i konfirmuar nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në të cilin zbuloi dje se do të diskutohet për çështjet ekonomike.

Për këtë çështje për “Zërin” janë deklaruar njohës së çështjeve politike si dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, të cilët besojnë dhe shpresojnë se do të arrihet marrëveshja përfundimtare mes të dyja shteteve.

Njohësi i çështjeve politike si dhe profesori universitar Mazllum Baraliu thotë se nga dy takimet e planifikuara të ndodhin në mes Kosovës dhe Serbisë nuk priten rezultate. Sipas tij, njëjtë sikurse takimet, edhe procesi i dialogut Kosovë-Serbi janë të papërgatitura sa dhe si duhet. Ndaj ai thotë se nuk priten rezultate finale e as spektakulare kur dihet se takimi në Bruksel është takim teknik i eksperteve të të dyja palëve dhe ai në Washington pritet të jetë politik, shkruan "Zëri.info".

Baraliu për “Zërin”, thotë se kur Brukseli dhe Washingtoni e kuptojnë se në këtë mënyrë nuk arrihen marrëveshjet e mëdha, atëherë do të jetë më mirë dhe më drejtë.

Ai thotë po ashtu se Kosova duhet të ketë qëndrim të prerë dhe të qartë. Përveç dorës së pajtimit për marrëveshje normalizimi, Kosova sipas tij nuk duhet të ofrojë asgjë më shumë, përndryshe sipas profesorit universitar marrëveshja me Serbinë është shumë larg dhe vështirë e arritshme.

“Qëndrimi i Kosovës do të duhej të ishte i prerë dhe i qartë. Nuk ka Kosova t’i ofroj më shumë se dorën e pajtimit për marrëveshje normalizimi. Pra as Asociacioni dhe as këmbimi territorial, nuk mund të jenë assesi objekt transaksioni. Është i papranueshëm paralajmërimi se në Washington do të bisedohet edhe për Ujmanin dhe Trepçën. Kjo në fakt nuk është bisedë për çështje ekonomike, por territoriale dhe kjo është edhe antikushtetuese, edhe e papranueshme. Qëndrimi i Kosovës atje duhet të jetë decidiv, se as nuk pranohet të bisedohet për pushtetin e tretë dhe as për këmbim territoresh me askënd. Përndryshe marrëveshja me Serbinë është tepër larg dhe tepër e vështirë”, u shpreh Baraliu.

Përveç një marrëveshje të largët mes të dyja shteteve, Baraliu mendon se në mes Kosovës dhe Serbisë larg është edhe përafrimi i qëndrimeve.

Sa i përket nënshkrimit të marrëveshjes së Kosovës dhe Serbisë se ku do duhej të ndodhë, Baraliu thotë se në Bruksel por me praninë dhe bashkëpunimin e amerikanëve.

“Thash që marrëveshja finale është endë larg. Por edhe përafrimi i qëndrimeve të dy palëve, është gjithashtu tepër larg. Nëse Evropa dhe Amerika, do të bashkëpunojnë si ju ka hije, ata do të bashkëpunojnë me ngushtë në të ardhmen, ne të mirë të paqes. Atëherë e edhe nënshkrimi i marrëveshjes, do të duhej nënshkruar në Bruksel, me praninë edhe të amerikanëve atje", ka thënë Baraliu për “Zërin.

LVV: Nuk mund të ketë dialog të mirëfillte pa zgjedhje demokratike

Nga Lëvizja Vetëvendosje konsiderojnë se nuk mund të ketë dialog të mirëfilltë pa legjitimitet të ri që do të arrihej përmes zgjedhjeve të reja. Kjo sipas tyre për dy arsye.

Deputeti Gazmend Gjyshinca për “Zërin” thotë se dy arsyet që ky dialog nuk mund të jetë i mirëfilltë janë se Qeveria ka shumicë të brishtë në Kuvend dhe se shteti amerikan si partneri e ndihmuesi kryesor i Republikës së Kosovës tashmë është përfshirë në frymën e zgjedhjeve të reja.

“Qeveria e tanishme që ka një shumicë tejet të brishtë në Kuvendin e Kosovës dhe mungesë të legjitimitetit qytetar tashmë është përfshirë edhe në përçarje e luftë të theksuar për pushtet të brendshëm në mes partnerëve të koalicionit. Çka do të rezultojë në përfaqësim të përçarë shtetëror të Kosovës në këtë dialog. Të freskëta janë rastet e konfrontimeve publike në mes ministrave të këtij koalicioni në lidhje me dialogun dhe rastin e Karaçevës. Pra janë edhe jolegjitim edhe të përçarë. Arsye e dytë është se shteti amerikan si partneri e ndihmuesi kryesor i Republikës së Kosovës tashmë është përfshirë në frymën e zgjedhjeve të reja që mbahen këtë vjeshtë. Andaj takimi i 4 shtatorit nuk mund të analizohet si diçka e pandashme nga kjo frymë, pra prej garës zgjedhore që tashmë ka filluar”, ka thënë Gjyshinca për “Zërin”.

Ai më tutje thotë se problemet e Kosovës dhe Serbisë nuk reduktohen vetëm në ekonomi, ndaj me një qasje të tillë, sipas tij nuk ka pritje për një marrëveshje të qëndrueshme.

“Tashmë kemi parë paralajmërime nga aktorët e përfshirë në këtë proces të cilat prioritizojnë një karakter ekonomik për marrëveshjen e paralajmëruar edhe pse problemet në mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të reduktohen në vetëm ekonomi. Kjo qasje lë të kuptohet se nuk ka pritshmëri për një marrëveshje përmbajtjesore dhe të qëndrueshme. Por, ashtu siç kemi theksuar çdo marrëveshje e dëmshme eventuale nuk do të mund gjejë zbatim në praktikë”, u shpreh ai.

Rreth qëndrimit të Kosovës karshi Serbisë në këto dy takime, deputeti i LVV-së thotë se Kosova do të duhej të dialogonte duke siguruar konsensues prej 2/3 në Kuvendin e Kosovës.

“Kosova do të duhej të dialogonte me Serbinë si shtet fqinj dhe në një proces dialogu që ndërtohet mbi premisat e reciprocitetit, përgatitjes së platformës, çështjeve të padiskutueshme dhe transparencës së plotë si dhe duke siguruar konsensus prej së paku 2/3 në Kuvend”, ka thënë Gjyshinca.

Përfundimisht deputeti Gjyshinca thotë se dialog të mirëfillte nuk mund të ketë pa zgjedhje demokratike.

“Ne ndajmë bindjen se parakusht kryesor për arritjen e një marrëveshje përfundimtare përmbajtjesore e të qëndrueshme është legjitimiteti qytetar dhe institucional. Ky legjitimitet do të sjelltë edhe konsolidimin e brendshëm shtetëror të Republikës sonë, e po ashtu të subjektivitetit ndërkombëtar të saj. Përfshirë këtu rregullimin e marrëdhënieve me Serbinë. Nuk do të mund të ketë dialog mirëfilli pa zgjedhje demokratike për legjitimitet të ri paraprakisht”, deklaroi ai.

MST: Kadrijaj: Marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë të arrihet në Washington

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Time Kadrijaj për “Zërin” në emër të partisë në të cilën bën pjesë, thotë se kërkojnë që si në Bruksel ashtu edhe në Washington të shkohet si ekip i unifikuar me përfaqësues të të gjitha partive.

Siç shprehet ajo, duhet të kërkohet përfundimi i këtij procesi të tejzgjatur.

“Si AAK dhe lideri ynë Ramush Haradinaj nuk kërkojmë që qoftë në Bruksel qoftë në Washington të shkojmë si ekip i unifikuar me përfaqësues të të gjitha partive politike, por këtu është kërkesë me qenë e përfshirë edhe opozita, sepse është një proces i rëndësishëm pasi po flitet për fazën finale të dialogut. Në këto takime të kërkohet të dimë në nivelin e takimeve të dialogut mirëpo gjithmonë duhet të kërkohet dhe tema që duhet të trajtohet,e ajo është njohja reciproke dhe përfundimi i këtij procesi të dialogut që është stërzgjatur dhe pa rezultate”, tha ajo.

Më tej, Kadrijaj thotë se në të dyja takimet që do të ndodhin Kosova duhet të kërkojë të trajtohet barabartë me Serbinë si dy shtete sovrane.

“Ju e dini që në Bruksel janë arritur shumë marrëveshje por shumica e tyre nuk po implementohen dhe ato nuk po implementohen thjeshtë për shkak se Serbia nuk po i implementon ato marrëveshje. Ballkani Perëndimor duhet të integrohet njëkohësisht në Bashkimin Evropian dhe është e padrejtë që Kosova, vendi më proevropian dhe vendi që është ma proamerikan, ende nuk ka liberalizim të vizave ndërsa tash Serbia ndoshta e merr statusin e vendit kandidat dhe ajo çka duhet të kërkohet është që të kërkohet që të respektohemi si dy shtete të barabarta dhe të trajtohemi si shtete sovrane. Jo Serbia të trajtohet me tjetër nivel dhe Kosova me tjetër”, u shpreh Kadrijaj.

Kërkesë e kamotshme e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Kadrijaj thotë se ka qenë përfshirja e Washingtonit në dialog, kjo pasi që populli i Kosovës beson në arritjen e marrëveshjes përmes Amerikës duke respektuar pavarësinë e Kosovës dhe kufijtë aktualë.

“Ne e kemi kërkuar, që në procesin e dialogut të përfshihet edhe Washingtoni për shkak se ju e dini që populli jonë, ne besojmë në Ëashington dhe duke qenë pjesë e dialogut Amerika ne besojmë që marrëveshja përfundimtare do të arrihet shumë më shpejtë dhe ajo çka kërkohet të arrihet është që të respektohet 17 shkurti i 2008-ës dhe të njihet pavarësia e Kosovës në kufijtë aktualë”, deklaroi ajo për “Zërin”.

Sa i përket dialogimit rreth çështjeve ekonomike për të cilat u deklarua edhe kryeministri dje, ku tha se në takimin e sotëm të 27 gushtit në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë do të diskutohet për çështjet ekonomike, Kadrijaj thotë se një marrëveshje e tillë është e mirëpritur.

“Ende nuk është zyrtarizuar agjenda e takimeve, por po flitet që do të ketë marrëveshje ekonomike, që e mirëpresim. Çdo ndihmë që vjen nga Amerika për marrëveshje, qoftë ajo ekonomike, e mirëpresim por njëkohësisht pala kosovare duhet të parashtrojë kërkesë që ky dialog më të mos stërzgjatet, të flitet për fazën finale, ku respektohet Kushtetuta e Kosovës, respektohet 17 shkurti i 2008-ës”, tha ajo.

Në fund, Kadrijaj në një prononcim për “Zërin”, thotë se si Aleancë gjithmonë kanë kërkuar dhe vazhdojnë ta bëjnë të njëjtën që marrëveshja finale e cila respekton kushtet e Kosovës, të nënshkruhet në Washington.

Kryeministri Hoti dje tha se do të tentojë që në delegacion të përfshihen të gjithë pa përjashtim, sepse kjo çështje është e rëndësisë më të lartë shtetërore, një takim që është pritur tash e sa kohë në Shtëpinë e Bardhë.

“Unë sot, për informimin tuaj, kam dërguar letër edhe te partitë opozitare që të propozojnë përfaqësuesit e tyre në këtë delegacion të Qeverisë së Kosovës në takimin në Shtëpinë e Bardhë dhe pastaj në takimin e ardhshëm të paraparë në fillim të shtatorit në Bruksel”, tha kryeministri Hoti, duke shtuar se është i hapur për të krijuar një ekip gjithëpërfshirës të të gjitha forcave politike pa përjashtim, që i ushtron kompetencat kushtetuese ashtu siç janë të parapara në Kushtetutë./Zëri