SKV demanton UP-në për ngritje në “Webometrics”

SKV demanton UP-në për ngritje në “Webometrics”

Aktuale August 03, 2020 - 16:51

Universiteti i Prishtinës, gjatë ditës së djeshme njoftoi se ka shënuar ngritje në renditjen e Webometrics-it për periudhën janar-korrik 2020.

UP-ja njoftoi se, sipas azhurnimit të fundit, është ngritur për 83 pozita në renditjen botërore, si dhe për 22 pozita në renditjen kontinentale.

Por, këtë vlerësim nuk po e pranon Lëvizja Studentore për Barazi “Studim Kritikë Veprim”.

Kjo organizatë studentore thotë se sukseset e Universitetit kryesor publik në vend do të ishin lajme të mira për shtetin e Kosovës dhe sidomos për studentët të cilët dalin kuadro nga ky Universitet, “por realiteti është krejtësisht ndryshe”.

Gabimi i parë, sipas SKV-së, është se UP-ja ka promovuar renditjen e një platforme si “Webometrics” e cila e konsideron UP-në si Universitet (në gjuhën shqipe) të Serbisë.

“Siç mund ta shihni në këtë link http://www.webometrics.info/en/world, Webometrics e renditë UP-në në vendin e 2746-të në botë dhe si Universitetin e pestë më të mirë të Serbisë. Në grafikon mund të shihni se në periudhën maj-qershor të këtij viti UP ka pësuar rënien më të madhe që nga viti i kaluar. Kurse Universitetin e Prishtinës (në Mitrovicë) kjo platformë e ka renditur në vendin e 4225-të dhe si Universitetin e shtatë më të mirë të Serbisë”, ka thënë SKV-ja.

Organizata studentore SKV thotë se “Webometrics” është me qendër në Madrid dhe është njësi e Ministrisë së Edukimit të Spanjës.

Ndërkaq, sipas SKV-së, një rënie të madhe UP-ja ka shënuar në rangimin e fundit të SCIMAGO.

“Kjo platformë ka vlerësuar 7026 institucione ku Universiteti i Prishtinës renditet në vendin e 5146-të, rënie kjo më e madhe se ajo e vitit të kaluar. Universiteti i Kragujevcit, Universiteti i Osijekut, Universiteti i Primorska e Universiteti i Malit të Zi janë më mirë të ranguar se UP. Vetëm Universiteti i Tiranës është më keq se ne në rangim nga universitetet e rajonit”, deklaron kjo organizatë.

Sipas një prej rangimeve më të njohura në botë, QS - World University Rankings, siç thotë më tej SKV-ja në këtë reagim dërguar mediave, Universiteti i Prishtinës është ndër universitetet me rangimin më të dobët në rajonin e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore.

“Në rangimet e QS, Universiteti i Prishtinës është futur në grupin e universiteteve të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore. Nga gjithsej 350 universitete, UP-ja figuron në fund të listës (251-300). Mbi UP-në në këtë rangim është edhe Universiteti i Mostarit”, ka deklaruar SKV-ja.

Në fund, Lëvizja Studentore për Barazi “Studim Kritikë Veprim” thotë se Kosova nuk i ka aspak mirë punët edhe sa i përket numrit të publikimeve në top 82 revistat shkencore të botës.

“Sipas renditjes së NaturalIndex, Kosova renditet e 163-ta nga 178-të shtete duke u lënë mbrapa edhe nga Guinea-Bissau, Kirbati, Haiti e Siria”, përfundoi kjo organizatë studentore.