Bashkë me vajzën e shkrimtarit Ymer Elshani, Kurti përkujton masakrën e Poklekut të Vjetër

Bashkë me vajzën e shkrimtarit Ymer Elshani, Kurti përkujton masakrën e Poklekut të Vjetër

Aktuale August 03, 2020 - 16:37

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, bashkë me Teuta Elshanin, ka përkujtuar familjarët e saj të vrarë më 17 prill 1999 nga forcat serbe në masakrën e Poklekut të Vjetër. Ndër të vrarët është edhe shkrimtari i njohur, babi i Teutës, Ymer Elshani.

“Forcat serbe në masakrën e Poklekut të Vjetër vrasin shkrimtarin Ymer Elshani, bashkëshorten e tij Nafijen, katër djemtë Ardianin (25 vjeç), Miranin (20), Kujtimin (15) e Nderimin (10), si dhe kunatën e tij Shukrijen. Të nesërmen ia vrasin edhe nënën Nailen, motrën e heroit Fazli Greiçevci”, ka shkruar Kurti.

Tutje kreu i LVV-së ka treguar se Teuta Elshani ka shpëtuar atë ditë sepse ishte studente e Kimisë në Prishtinë.

“E mbijetuara e vetme e familjes nga Korrotica e Ulët e Drenasit, që prej 20 vjetësh, jeton në Atlanta të ShBA-së. Ajo ka katër fëmijë: Ejonën, Erën, Miranën dhe Ardianin. Për çdo vit vjen në Kosovë nga dashuria për vendlindjen e me ngushëllimin e vetëm që gjyshja Naile në çastet e fundit të jetës së saj nuk kishte qenë në dijeni se një ditë më parë ia kanë vrarë djalin e katër nipat”, ka përmendur Kurti.

Në fund ish-kryeministri tregon se nga shtëpia botuese “Meshari” dhe nën përkujdesjen e Teutës, është botuar kompleti i veprave prej 11 vëllimesh (poezi e romane për fëmijë dhe tregime) i babait të saj, shkrimtarit tonë, Ymer Elshani. /Zëri