Osmani përkrah kërkesat e infermiereve: Angazhimi juaj, jetik për ruajtjen e shëndetit të popullatës

Osmani përkrah kërkesat e infermiereve: Angazhimi juaj, jetik për ruajtjen e shëndetit të popullatës

Aktuale August 03, 2020 - 16:21

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim përfaqësuesit e Sindikatës së Infermierëve të Kosovës, të kryesuar nga Fitim Havolli, kryetar i kësaj organizate sindikale.

Në takimin me ta, Osmani çmoi lart angazhimin e infermierëve me ç’rast përmendi edhe shërbimet mjekësore për pacientët e prekur me virusin COVID-19 për të cilat thotë se janë shumë të rëndësishme.

“Por, krahas këtij trajtimi, komunikimi social dhe aspekti psikologjik, të cilin ju po ua ofroni pacientëve të prekur nga ky virus, është po kështu shumë i rëndësishëm”, nënvizoi Osmani.

Më tej, Osmani tha se është në dijeni me vështirësitë me të cilat ballafaqohen punonjësit shëndetësorë, në veçanti infermierët, për çka se si kryetare e Kuvendit do të ushtrojë rolin e saj që infermierët të kenë trajtimin e duhur, sidomos tani në kohë të pandemisë.

“Sikur kam nënvizuar edhe më herët, se mostrajtimi me dinjitet i infermierëve dhe i stafit tjetër shëndetësor, konsideroj se afekton jetët e qytetarëve tanë”, theksoi ajo gjersa premtoi që do t’u kushtojë vëmendje të veçantë të gjitha çështjeve të ngritura dhe se do t’i adresojë tutje ato.

Përfaqësuesit e sindikatës, nga ane tyre, e njoftuan kryeparlamentaren Osmani me angazhimin e tyre gjatë kohës së pandemisë, por edhe me vështirësitë me të cilat po ballafaqohen si profesionistë shëndetësorë, pasi që janë jo vetëm të mbingarkuar, por edhe në numër të pamjaftueshëm, pasi që një numër infermierësh janë prekur tashmë me virusin.

Në mënyrë të veçantë, sindikalistët e shtruan çështjen e moszbatimit të ligjit dhe kompensimin e ulët për orët e kujdestarisë së infermierëve. Prandaj, ata kërkuan zbatim të ligjit si dhe plotësim të tij. /Zëri