Pandemia “fik” trashëgiminë kulturore në Shqipëri – nga mbi 330 mijë vizitorë më 2019-n, sivjet vetëm 11.081
Foto: Arian Mavriqi

Pandemia “fik” trashëgiminë kulturore në Shqipëri – nga mbi 330 mijë vizitorë më 2019-n, sivjet vetëm 11.081

Aktuale August 03, 2020 - 16:06

Pandemia ka paralizuar thuajse tërësisht jetën kulturore në Shqipëri. Goditjen më të fortë e kanë marrë institucionet e trashëgimisë kulturore, ndërkohë që teatrot e operat kanë pasur një dritare online.

Ministria e Kulturës raporton se për tremujorin e dytë të vitit institucionet e trashëgimisë kulturore janë vizituar nga 11.081 persona, ndërkohë që numri i tyre në të njëjtën periudhë të një viti më parë ishte 331.767, afërisht 30 herë më pak, raporton “Scavntv”.

Rënia drastike ka ndodhur edhe pse gjatë tremujorit të dytë 2020 vizitat në institucionet e trashëgimisë kulturore u lejuan me kufizime sipas udhëzimeve përkatëse, si dhe me kufizim orari në kohën e funksionimit të zonave të kuqe dhe të gjelbra.

Pjesa dërrmuese e rënies i detyrohet mungesës së vizitorëve të huaj, të cilët gjatë tremujorit të dytë të vitit të shkuar ishin 178.560, ndërsa numri i vizitorëve në institucionet e trashëgimisë kulturore në tremujorin e dytë 2020 është 11.081 vizitorë, 10.559 janë vizitorë vendas dhe vetëm 522 janë vizitorë të huaj.

Gjatë këtij tremujori parqet arkeologjike janë frekuentuar më shumë, 46,9 % e vizitorëve gjithsej, ndjekur më pas nga kalatë e monumente të tjera me 30,7 % dhe muzetë me 22,4 % të vizitorëve gjithsej.

Në tremujorin e dytë 2020 vizitorët e huaj kanë preferuar më shumë muzetë, ndjekur më pas nga kalatë me 41,2% dhe monumente të tjera me 37,5% ndaj totalit të vizitorëve të huaj.