Të rinjtë hezitues karshi mësimit në distancë

Të rinjtë hezitues karshi mësimit në distancë

Aktuale July 25, 2020 - 09:03

Për Andi Hasanin, nxënës i klasës së njëmbëdhjetë në gjimnazin “Frank Bardhi” në Mitrovicë, mësimi në distancë nuk ka qenë shumë efektiv.

“As mësimdhënësit e as nxënësit nuk e kanë dhënë 100 për qindëshin e tyre”, tha ai.

Institucionet shkollore në Kosovë janë mbyllur më 12 mars, pas masave që kishte marrë Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Shkollat pastaj filluan mësimin në distancë. Për klasat 1-9, mësimi është realizuar nëpërmjet transmetimit të mësimeve të regjistruara në televizionin publik si dhe përmes kanalit të Ministrisë së Arsimit në YouTube, ndërsa në nivel të shkollave të mesme të larta, mësimi në distancë është zhvilluar në mënyrë të decentralizuar, ku mësimdhënësit ishin bartësit kryesor të mësimit në distancë.

Se si do të jetë në shtator, ende nuk dihet dhe kjo do të varet nga situata epidemiologjike në Kosovë.

Andi mendon se nëse vazhdon rritja e numrit të të infektuarve me koronavirus, sikurse edhe është duke ndodhur aktualisht, më mirë do të ishte që mësimi të vazhdojë nga distanca.

“Mendoj se në shtator nuk është ide e mirë të kthehemi në shkollë nëse vazhdon të jetë numri i të infektuarve në rritje, pasi klasat i kemi të vogla dhe jemi rreth 30 nxënës në klasë. Ndonëse ka qenë joefektiv mendoj se jetën nuk duhet rrezikuar”, tha ai.

Vështirësi gjatë vijueshmërisë së procesit arsimor ka pasur Drita Azemi, poashtu nxënëse e klasës sëë 11 në shkollën e mesme të muzikës ‘’Prenk Jakova’’ në Prishtinë. Ajo studion drejtimin e pianos.

“Në shkollën që shkoj unë ka qenë pak vështirë, pasi që shkolla e muzikës është ndryshe kur je në klasë dhe dëgjon melodinë dhe është ndryshe online. Unë studioj pianon, dhe kur je me profesoreshën dhe ke pianon afër është ndryshe, derisa përmes mësimit online, për shembull kur interneti nuk ka qenë i mirë, humb melodia, dhe është e vështirë me të përcjellet”, tha ajo.

Ndryshe nga Drita dhe Andi, që kanë vijuar mësimin në shkolla publike, Oketa Mustafa, ka përfunduar klasën e 10 të shkollës së mesme private ‘’QSI’’ (Quality School International).

Kjo shkollë sipas saj, ka qenë mirë e përgatitur për mësim online.

Shkrimin e plotë lexojeni në Radio Evropa e Lirë.