
Presidenti Thaçi mbërrin në Kosovë, pritet me flamuj, tupanë e këngë
Pas katër ditë intervistim në Hagë, presidenti i vendit, Hashim Thaçi është kthyer në Kosovë.
Numër i madh i qytetarëve të Kosovës kanë dal në pikën kufitare me Shqipërinë në “Morinë”, për t’i uruar mirëseardhje Thaçit, raporton Zeri.info.
Për disa minuta Thaçi është përshëndetur edhe fizikisht me qytetarët të cilët po e prisnin. Ai ka zbritur nga vetura për të përshëndetur masën, madje truprojat e Thaçit kanë hasur në vështirësi për të ndaluar turmën që t’i afrohet presidentit. Qytetarët i kanë dhuruar presidentit një flamur me simbole të UÇK-së.
Qytetarët e kanë pritur Thaçin me brohoritje “UÇK. UÇK. UÇK” , tupanë e këngë.
Presidenti Thaçi nesër në mbrëmje në orën 20:00 do t’iu drejtohet qytetarëve në lidhje me intervistimin pas katër ditësh në Hagë. /Zëri