“AlArabiya”: OKB-ja zbuloi se Turqia, me marrëveshje sekrete me Kosovën e me vende tjera, rrëmbeu shtetasit e vet

“AlArabiya”: OKB-ja zbuloi se Turqia, me marrëveshje sekrete me Kosovën e me vende tjera, rrëmbeu shtetasit e vet

Aktuale July 13, 2020 - 11:10

Turqia ka nënshkruar marrëveshje sekrete me disa vende për të kryer rrëmbime jashtë vendit të disidentëve të dyshuar shtetërorë, thuhet në një letër të bashkëshkruar nga katër raportues të OKB-së, raporton mediumi me bazë në Dubai, “Al Arabiya”.

Letra, që daton nga fillimi i majit, përmend pretendimet për marrëveshje sekrete të nënshkruara me Kosovën, Shqipërinë, Azerbajxhanin, Kamboxhën, Gabonin, Afganistanin, Kazakistanin, Libanin e Pakistanin e për disa nga këto vende OKB-ja ka pranuar raportime për shkelje të të drejtave të njeriut në lidhje me rrëmbimet e shtetasve turq.

“Qeveria e Turqisë, në koordinim me disa shtete, raportohet të ketë transferuar dhunshëm mbi 100 shtetas turq në Turqi, nga të cilët 40 individë i janë nënshtruar zhdukjes së dhunshme, shumica duke u rrëmbyer nëpër rrugë ose nga shtëpitë e tyre në mbarë botën e në shumë raste bashkë edhe me fëmijët e tyre”, thuhet në këtë letër, transmeton “Zeri.info”.

“Al Arabiya” thotë se presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e ka intensifikuar luftën kundër kritikëve të tij muajve të fundit, veçanërisht ndaj atyre që kanë lidhje të dyshuar me lëvizjen fetare të udhëhequr nga Fethullah Gulen, predikuesi mysliman turk që jeton në SHBA.

Javën e kaluar dolën lajmet për lëshimin e mbi 400 urdhërarresteve, duke përfshirë ushtarë, mjekë e mësues.

Erdogani e ka sulmuar lëvizjen “Gulen” që nga viti 2016, kur organizata, e njohur në Turqi si “Hizmet”, u cilësua nga shteti turk si organizatë terroriste dhe Guleni, bashkë me mbështetësit e tij, u akuzuan për drejtimin e një puçi të dështuar ushtarak në mesin e vitit 2016.

Marrëveshjet e nënshkruara u shkruan në atë mënyrë që i lejonin Turqisë qëllimshëm ta ndiqte luftën e saj edhe jashtë vendit, thuhet në letrën e OKB-së.

“Qeveria [turke] ka nënshkruar marrëveshje bilaterale për bashkëpunim në siguri me disa shtete që u referoheshin pretendimeve të gjera për luftën kundër terrorizmit dhe krimit transnacional. Burimet thonë se marrëveshjet ishin formuluar në atë formë që i lejonin dëbimin ose rrëmbimin e kujtdo që konsiderohej të ishte ‘rrezik për sigurinë’ nga vendet e treta palë në marrëveshje”, thuhet në letrën e raportuesve të OKB-së.

Rrëmbim, torturë, dëbim

Rrëmbimet kanë pasur një strukturë të ngjashme, thuhet në këtë letër.

Pasi Turqia dështoi të siguronte ekstradim ligjor, autoritetet iu drejtuan operacioneve të fshehura ilegale. Individë të caktuar u vunë nën “përcjellje të vazhdueshme, të përcjella me bastisje nëpër shtëpi dhe arrestime arbitrare në operacione të fshehura nga forcat e rendit ose oficerë të inteligjencës në rroba civile”, sqaron letra, transmeton “Zeri.info”.

Posa arrestohej i targetuari futej me dhunë në një makinë të paidentifikuar, moment pas të cilit ata mund të mbesin të zhdukur dhunshëm për disa javë para dëbimit.

“Gjatë asaj periudhe ata shpesh iu nënshtruan detyrimit, torturës dhe trajtimit degradues që kishte për qëllim sigurimin e pajtimit të tyre për kthim vullnetar dhe për nxjerrje të rrëfimeve që do t’u shkonin organeve të ndjekjes penale me të arritur në Turqi”, thotë më tej letra.

Operativët turq kanë përdorur një sërë metodash të torturës për t’i siguruar këto rrëfime me dhunë, duke përfshirë mosdhënie të ushqimit ose duke mos i lënë të flenë, futjen e kokës në ujë, goditje elektrike dhe rrahje, shkruan raportuesit në letrën e bazuar në dëshmitë personale.

“Këtyre u janë bashkëngjitur kërcënimet ndaj jetëve, sigurisë dhe integritetit personal të anëtarëve të familjeve dhe të afërmve të tyre”, shkruhet në letër.

Turqia mohon këto pretendime. Në një përgjigje ndaj letrës së OKB-së nga mesi i qershorit Turqia i quajti pretendimet për torturë “të pabaza”, pavarësisht dëshmive të listuara nga OKB-ja.

Presidenti turk më parë ishte zotuar se “do t’ua heqë kokën tradhtarëve” prapa puçit të vitit 2016. Por udhëheqësia e Gulenit beson se ishte në të vërtetë vetë Erdogani ai që planifikoi puçin “e inskenuar” si një “arsyetim për të zgjeruar ndjekjet penale”, tha për “Al Arabiya English” Alp Aslandogan, anëtar Bordi i institutit “Gulen” dhe president i Aleancës jofitimprurëse për Vlera të Përbashkëta me bazë në New York, e cila është e ndërlidhur me lëvizjen.

Turqia ka një histori të përdorimit të masave të gjera të sigurimit shtetëror për të sulmuar zërat disidentë.

Në një rast “Amnesty International” ligjet antiterrorizëm të Turqisë i quajti “të paqarta dhe që abuzohen gjerësisht” për të inskenuar akuza për gazetarë problematikë. Mbi 319 gazetarë janë arrestuar në Turqi nga viti 2016, 189 gazeta janë mbyllur, sipas “Turkey Purge”, një uebfaqe e drejtuar nga gazetarë turq, që dokumenton arrestimet në vend.