Ymeri: Larg normales t’i gëzohesh infektimit të Isa Mustafës

Ymeri: Larg normales t’i gëzohesh infektimit të Isa Mustafës

Aktuale July 10, 2020 - 17:51

Pas njoftimit për infektimin me COVID-19 të kreut të LDK-së, Isa Mustafa, ka pasur reagime të shumta, prej tyre edhe nga ato reagime që i uronin vdekjen Mustafës.

Për këto komente negative dhe jo të duhura në këtë kohë, ka reaguar edhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Visar Ymeri.

Ymeri në “Facebook”, fillimisht i ka uruar shërim Mustafës duke thënë se njëjtë sikurse për të gjithë të infektuarit as lajmi për infektimin e Mustafës nuk është i mirëpritur, dhe po ashtu as lajm i mirë, përcjell “Zeri.info”.

Sipas tij është larg normales gëzimi për infektimin e tij, pavarësisht bindjeve politike e mospajtimeve

“Politikisht mund të kesh, siç kam edhe unë, mospajtime me Isa Mustafën e LDK-në. Mirëpo t’i gëzohesh sëmundjes së dikujt vetëm pse e ke kundërshtar politik shkon shumë larg normales, arsyes e njerëzores. I afrohet nekropolitikës. Secili reagim i gëzuar e me ngazëllim ndaj këij lajmi është i papranueshëm. Secila heshtje ndaj këtyre reagimeve është miratim për to”, është shprehur Ymeri.

“Nuk mund të ketë politikë pa komponenten e njerëzores. Aq më pak mund të ketë politikë progresive po nuk qe ajo njëkohësisht edhe humaniste. Pa komponentën e njerëzores politika shndërrohet në administrim të hekurt burokratik të numrave, si dhe vetëm në aktivitet gllabërimi të të mirave dhe privilegjeve”.

Ymeri ka thënë se askush nuk mund të bëjë politikë pa dashur një shoqëri të lirë dhe të barabartë, ndaj sipas tij politika duhet të jetë në shërbim të qenies njerëzore.

“Politika është dhe duhet të jetë në shërbim të qenies njerëzore. Sepse nuk mund ta duash shoqërinë, pa e dashur njëkohësisht njeriun brenda asaj shoqërie. E nuk mund të bësh kurrë politikë pa e dashur shoqërinë të lirë e të barabartë”, ka shkruar Ymeri./Zëri