“Lufta” për të bërë testin e COVID

“Lufta” për të bërë testin e COVID

Aktuale July 04, 2020 - 22:10

Shqipëria renditet e fundit në rajon për numrin e testimeve që kryen gjatë një dite por edhe për numrin e testimeve që ka bërë në total.

Sipas të dhënave zyrtare të raportuara nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, këto dy shtete kanë kryer më shumë testime se sa ne, edhe pse kanë një popullsi më të vogël.

Nga fillimi i pandemisë deri më 4 Korrik, Ministria e Shëndetësisë ka raportuar se ka bërë 28.409 testime.

Ndërsa Kosova, edhe pse ka 1.8 milionë banorë, ose 1 milion banorë më pak se sa ne, deri më 3 Korrik rezulton se ka kryer 24.575 testime.

Po ashtu, edhe Maqedonia e Veriut me një popullsi prej 2 milionë banorësh, në raportimin e fundit zyrtar rezulton se ka 59.633 testime në total.

Nga këto të dhëna rezulton se Shqipëria ka kryer më pak se gjysmën e  testimeve të Maqedonisë së Veriut, edhe pse numrin e popullsisë e kemi më të madh.

Por kush janë arsyet që Ministria e Shëndetësisë nuk kryen më shumë testime?

Nga autoritetet shëndetësore nuk ka asnjë përgjigje zyrtare. Po u kërkohet njerëzve që nëse dyshojnë se kanë pasur kontakt me persona të infektuar në izolohen në banesë. Tamponi në rastin më të mirë u bëhet pas një lufte të madhe dhe kërkesave të vazhdueshme të qytetarëve.

Ndërsa në rastin më të keq ata arrijnë ta bëjnë pas më shumë se një jave pritje, ose dhe nuk ua bëjnë fare duke rrezikuar edhe vendin e punës, pasi nuk justifikojnë dot qëndrimin në banesë.

Janë me dhjetëra qytetarë që janë në panik ndërkohë që nuk dinë si të veprojnë kur dyshojnë se mund të kenë qenë rast kontakti. Ndërkohë që janë të alarmuar edhe për shëndetin e familjarëve të tyre.

Ndaj qytetarët u bëjnë apel autoriteteve t’u bëjnë testimin pasi po u rrezikojnë jetën atyre dhe familjarëve të tyre.

Klan Plus