Haradinaj: Deklaratën e 2 Korrikut e jetësoi UÇK-ja
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se më datën 2 korrik të vitit 1990 deputetët kosovarë nxorën aktin, të cilin shqiptarët e prisnin me dekada, transmeton “Zeri.info”.
Përmes një postimi në “Facebook” Haradinaj ka shkruar se kjo deklaratë i ka hapur rrugë Kosovës për të qenë e barabartë me entitetet e tjera.
“Më 2 korrik 1990 deputetët kosovarë, me gjithë presionin e kërcënimet nga pushteti i Milosheviqit, nxorën aktin, të cilin shqiptarët e prisnin me dekada. Deklarata me të cilën Kosovës i hapej rruga për të qenë e barabartë me entitetet e tjera, edhe pse nuk u lejua të zbatohej, me forcën e armëve e tankeve, dërgoi mesazhin në gjithë botën për përcaktimin e shqiptarëve për liri e pavarësi”, tha ai.
Haradinaj falënderoi deputetët e asaj legjislature dhe tha se atë deklaratë e kishte jetësuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
“Duke qenë falënderues për të gjithë deputetët e asaj legjislature, deklaratën e tyre e jetësoi Ushtria Çlirimtare e Kosovës. 2 korriku do të mbetet përgjithmonë në kujtesën historike të shqiptarëve”, ka përfunduar Haradinaj.